Berisha: Klinton sjell mesazhin e miqësisë së madhe mes dy vendeve
Vizita në Tiranë e Sekretares Amerikane të Shtetit
Festimet për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë kanë qenë kryefjala e mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, pjesë e të cilit do të jetë edhe vizita e sekretares amerikane Hillary Clinton më 1 nëntor në kryeqytet.
Kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar mjaft të rëndësishëm vizitën e diplomates amerikane, e cila nderon shqiptarët, por që sjell me vete edhe mesazhin e miqësisë së madhe mes dy vendeve. “Kjo është një ngjarje e madhe, e cila në kurorën e festimeve të 100 vjetorit, përben dhe momentin më kulmor të këtyre festimeve, pasi Sekretarja Clinton, vjen në Shqipëri për të shprehur nderimin e saj për kombin shqiptar në 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Vjen si një mike e madhe, si ndër miqtë më të shquar në historinë tonë. Sjell mesazhin e kombit dhe të vendit të vet të madh, të miqësisë dhe natyrisht është një rast shumë i veçantë, një rast i shkëlqyer për të gjithë shqiptarët, për të shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj Sekretares Clinton, qeverisë së Shteteve të Bashkuara, Presidentit Obama, kombit të madh amerikan. Në këto 100 vite, vite të karakterizuar nga vështirësi dhe sakrifica të mëdha, por në të gjitha rastet shqiptarët ia dolën, shqiptarët e kryen, sepse patën në anën e tyre mbështetjen përcaktuese të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, nga presidenti Wilson te Presidenti Obama, patën në anën e tyre kombin e madh amerikan. Ndaj dhe kjo ngjarje mbetet ngjarja më e rëndësishme në festimet që shqiptarët i kanë bërë, apo bëjnë për 100 Vjetorin e Pavarësisë së vendit të tyre. Sekretarja Clinton, diplomatja e parë e planetit është njëkohësisht edhe kryediplomatja me sukseset më të shënuara në historinë e diplomacisë dhe popullaritetin më të lartë, kjo jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që i kalon mbi 80 për qind, por e sigurt se këtë përqindje popullariteti e ka në mbarë botën. Ndaj dhe le t’i urojmë përzemërsisht mirëseardhjen në Shqipëri me datën 1 nëntor”, tha Kryeministri.