E Diel, 1 Nëntor 2026

Balliu: “Rama nuk po sulmon partitë apo mazhorancën, por po sulmon shtetin”

30-10-2012 / Gazeta 55

Në një intervistë për “ABC News”, publicisti Fahri Balliu e sheh si një dhuratë për mazhorancën, pamundësinë e opozitës për të prodhuar një alternativë qeverisjeje dhe këmbënguljen e saj për t’u paraqitur veç si një sëmundje që tenton pa sukses të pengojë ecjen përpara të Shqipërisë

“Dhuratë shumë e madhe për jetëgjatësinë e kësaj mazhorance është sjellje që e largon opozitën nga mundësia për të bërë qeverisje”.
Kështu e komenton sjelljen e opozitës dhe të kreut të saj Edi Rama, publicisti dhe botuesi i gazetës “55”, Fahri Balliu.
Në një intervistë për TV “ABC News”, Balliu shprehet se politika rrezikon të thellohet me rënien e opozitës në gabime edhe më të mëdha. “Por falë Zotit është si ai mbrojtësi natyral i diabetit. Për fat të Zotit, Shqipëria dhe shoqëria shqiptare, do të vazhdojë ecjen pavarësisht këtij diabeti nëpër këmbë”, shprehet më tej publicisti dhe botuesi i gazetës “55”.
Në analizën e tij, Fahri Balliu, opozitën e sotme e quan një opozitë kundër shtetit dhe jo kund pushtetit. “Qëndrimi opozitar ka ardhur duke u trajtuar jo si një qëndrim opozitar idesh apo partish, por ka marrë fytyrën, frymën dhe me gjasë ka kaluar kufirin e opozitës ndaj një partie që është në pushtet, opsioneve të saj apo programeve të saj dhe është kthyer në një opozitë kundër shtetit”.
Duke u ndalur te kushtet e Edi Ramës për votimet e ligjeve me 3/5, si pretekste të tij, Fahri Balliu, përmend “konfliktin” për Qarkun e Fierit dhe këto kushte i klasifikon, jo si kushte të Edi Ramës ndaja mazhorancës, por si kushte të tijat ndaj Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule.
Objekt i analizës së situatës politike për Fahri Balliun, ishte edhe mbledhja më e fundit e Asamblesë Kombëtare të PS-së, më saktë bllokimi i valëve të celularëve prej Edi Ramës. Për publicistin dhe botuesin e gazetës “55”, kjo sjellje është një tentativë e kreut të PS-së, për instalimin e regjimit të tij në opozitë, njëlloj sikurse bëri edhe për gjatë kohës që drejtoi bashkinë e Tiranës.
Por, “mazhoranca dhe opinioni publik nuk e do këtë konfidencialitet që Edi Rama kërkon ta ruajë si Hitleri dikur me armën sekrete, por e do në dritë të diellit dhe publiku nuk e do si shkelje të këtij rregulli”, arrin në konkluzionin e tij Fahri Balliu.
Më tej, Fahri Balliu ironizon lëvizjen më të fundit politike të Edi Ramës, “për një rilindje shqiptare”. “Kjo nuk quhet rilindje. Ato që janë miratuar dhe realizuar këto 7 vite, a nuk kanë qenë të rekomanduara nga Bashkimi Europian. Çdo qeverisje që vjen nesër do të vijë si vazhdim i kësaj qeverisje, këto mira të kësaj qeverie do të çojë më tutje dhe të këqijat do ti korrigjojë”, shprehet Fahri Balliu.
Më tej, publicisti dhe botuesi i gazetës “55”, ndalet edhe te zhurma e Edi Ramës për luftën ndaj korrupsionit. Në këtë aspekt, Fahri Balliu kujton se “dosjet e Edi Ramës nuk janë hapur nga prokuroria, dihet që ka pasur korrupsion me skenar, si për shembull në disa rrugë afër ministrisë së Jashtme, apo fasadat e pallateve. Ky njeri s’mund të flas për rekorde korrupsioni”.

Është një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë duke pasur parasysh sa pak kërkohet për të arritur te statusi. Si duken gjasat duke parë marrëdhëniet e deritanishme të opozitës dhe mazhorancës...?
Për mendimin tim opozita i ka futur gjithë këto vite zhvillimet politike në pikëpyetje. Qëndrimi opozitar ka ardhur duke u trajtuar jo si një qëndrim opozitar idesh apo partish, por ka marrë fytyrën, frymën dhe me gjasë ka kaluar kufirin e opozitës ndaj një partie që është në pushtet, opsioneve të saj apo programeve të saj dhe është kthyer në një opozitë kundër shtetit. Kjo vjen dhe bëhet e dukshme veçanërisht deri në këto moment kur është bërë e ditur afati 20 nëntor, është si kufi po themi zyrtar, i lejes për të pritur miratimin e tre ligjeve të njohura për të gjithë, ligji për Gjykatën e Lartë, Nëpunësin Civil dhe rregulloren Parlamentare, që përmbyllin e statusin e vendit Kandidat. Në këtë kuptim, në jetën politike shqiptare, opozita nuk sheh nga sytë, nuk dallon qartë që si opozitë në parlament, të angazhohet për organizim dhe verifikim të programi të një partie që është në mazhorancë, që në këtë vend ka qeveri, por ajo është shtyrë në një qëndrim opozitar që dëmton shtetit shqiptar.

Në fakt opozita e ka dhe me sistemin e që ky shtet ka ngritur, madje e ka quajtur regjim...?
Gjuha e opozitës për regjim në vend, në këtë kuptim, është kundër shtetit, sepse kjo mazhorancë që ndodhet në qeveri nuk është bërë natën dhe fshehurazi, por është bërë më këtë kryetar dhe me këtë opozitë dhe vota është në parlament. Çdo formulim i tillë është thjeshte propagandistik, por kur ajo kthehet në një qëndrim, mund të themi se Edi Rama nuk e dallon kufirin e opozitës. Në këtë kuptim Edi Rama ka ndërtuar një opozitë me shtetin. Dhe përkufizimet e tij për regjim mund të themi se është ky, pra Edi Rama që e ka vendosur në një regjim, që shkel të drejtat e njeriut. Ne kemi qenë vetë në opozitë dhe në asnjë rast nuk ka ndodhur dhe ndodh që një opozitë, kryetar i saj të sillet me bashkëpunëtorët me shkallën më të lartë të mosbesimit. Edi Rama me vendosjen e zhurmuesve në sallën e mbledhjeve të Asamblesë Kombëtare të PS-së, e bëri këtë...

Këtë ai e ka shpjeguar si një gjë për të ruajtur konfidencialitetin e Asamblesë për të ruajtur strategjinë elektorale të 2013...?
Por kjo bëhet për herë të parë dhe të vetme. Kjo është një turp, pasi nuk është i natyrës së përhapjes së sekreteve, që të mos ia marrë vesh opozita. Ky është një pasion i Edi Ramës në opozitë, ashtu siç e instaloi regjimin e tij në Bashkinë e Tiranës, po kështu kërkon të instalojë regjimin e tij opozitë. Mazhoranca dhe opinioni publik nuk e do këtë konfidencialitet që Edi Rama kërkon ta ruajë si Hitleri dikur me armën sekrete, por e do në dritë të diellit dhe publiku nuk e do si shkelje të këtij rregulli.

Pse do të jetë problem qoftë i mazhorancës, qoftë i publikut, se çfarë vendimesh merr një forcë politikë, si një grup vullnetarë njerëzish  që diskuton një strategji të ardhshme politike. Pse është shqetësuese kjo gjë?
Kjo nuk është shqetësuese. Kjo është dhuratë shumë e madhe për jetëgjatësinë  e kësaj mazhorance sepse është një sjellje që e largon opozitën nga mundësia për të bërë qeverisje. Kjo është një diskutim intelektual politik dhe mënyra e sjelljes jashtë konceptit normal botëror, apo institucional të një opozite me pozitën. Në këtë kuptim, kjo është një thellim i izolimit dhe krijimit të një regjimi në opozitë, vetëm e vetëm që kryetari ta përdorë jo me idenë që i burojnë opozitës por me idetë që i burojnë atij personalisht si të mundshme që ai të mos preket nga posti pas një humbjeje në vitin 2013.

Ju përmendët faktin që Edi Rama ka krijuar një opozitë me pushtetin por me shtetin. Në fakt është Rama që një intervistë që ka dhënë për televizionin “France 24” është shprehur se ne nuk jemi ende Europë, për shkak të sistemit të drejtësisë, që të zhvillojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe duke thënë se është kjo mazhorancë që sfidon shtetin me tre kushtet e vendosur nga Brukseli për marrjen e statusit...?
Marrja e statusit të vendit kandidat nuk është mision i opozitës, pasi është mazhoranca që ka mandatin dhe besimin e të gjithë popullit karshi qeverisje për integrimin. Në çastin që ajo është në qeverisje mbyllet filmi. Formulimet e Edi Ramës burojnë nga koncepte që janë trashëguar nga vetë forca e tij politike, pasi trashëgimia partiake e Ramës është të ketë konflikt, jo koncepte demokratike, por antagoniste sipas gjuhës tipike të asaj partie. PS-ja nuk shikon as rrugët që bëhen, as rrugën e kombit, as investimet, as shifër e Bankës Botërore, as shifër e FMN që japin certifikime zyrtare, as një prononcim të një figurë të parlamenti Europian, as vizita e zonjë Klinton në Tiranë, që mes të tjerave është një fakt politik që është një meritë e kësaj qeverisje. Rama e zhvendos vendin në kohën e armiqësisë kundër imperializmit, kundër kësaj qeveria. Çdo orë dhe jo çdo ditë, Ramën e largon nga mundësia qytetare për ti dhënë mandat qeverisës.

Por mazhoranca për qarkun e Fierit nuk ka dhënë konsensus, që më pas parlamenti të votojë...?
Në radhë të parë Edi Rama nuk e njeh as frymën e ligjit as rregullat e demokracisë, ai njeh rregullat e pazarit. Dhe për çështjen e qarkut të Fierit, mazhoranca i ka dhënë opsionet dhe rrugët ligjore për gjetur rrugën demokratike sesi funksionon pushteti lokal nga ai qendror. As nuk i dëgjon dhe as nuk i kupton, as dëgjon këshilltarët për këto çështje. Edi Rama kërkon që statusi të aksidentohet që të këtë fraktura, sepse mendon se në zgjedhje kërkon ta përdorë këtë si dështim të qeverisë. Dhe kjo nga sulmi ndaj qeverisë në sulm ndaj shtetit.

Kjo është e qartë që kosto për marrjen e statusit të vendit kandidat nuk ka vetëm pozita, por dhe opozita që vetën për tre ligje që nuk miratohen...?
Këto kushte Edi Rama nuk ia ka vënë mazhoranës, por ia ka vënë komisionarit për zgjerim në BE, Fyle. BE-ja nuk besoj e di çfarë halli ka Fieri apo Roskovecin, këtë janë çështje që kanë të bëjnë me Shqipërinë, nëse Shqipëria e do apo nuk e do atë.

Të ndalemi te Konventa e LSI-së, ku PS-ja nuk mori pjesë...?
Ne duhet të shikojmë suksesin e LSI në këtë Konventë. Konventa e LSI ishte një maksimum inteligjent i energjisë së një partie të strukturuar dhe organizuar në një rend shumë modern. Ishte një konventë, sipas një shprehje të një shkrimtari koleg – ishte Hollivudiane. Pa shiko ku mungoi si pjesëmarrës në këtë konventë? Ky njeri që ka munguar dhe në përvjetorin e Partisë Demokratike, çka do të ishte normale me të deleguar. Por në Konventën e një partie të majtë, me të cilën mund të bëjë koalicion dhe të qeverisë Shqipërinë, çuditërisht nuk dërgon asnjeri. Ai fshihet pas ca takimeve me kolegë nëpër fshatrat e Tiranës.

Xhelozi apo sinjal për t’i lënë për të kuptuar Ilir Meta se duhet të bëjë shkëputjen nga koalicioni me PD...?
Kjo s’ka të bëjë fare me sinjalet, pasi këto janë protokolle normale. Sidomos kur bëjnë pjesë në të njëjtin spektër të majtë, ku njeri me aspiracion të majtë do të shikonte se ku është qendra e së majtës, dhe do të shikonte shpresën dhe rregullim e jetës, pasi janë këto çështjet e rëndësishme, nuk janë teorike.

Ju shikoni vetëm formën në Konventën e LSI, po përmbajtja e saj...?
Jo nga të gjitha. Mjafton të marrim zgjedhjet që një parti, e treta në politikën shqiptare që ka 31 600 votues që vijnë në Tiranë për të zgjedhur mes Ilir Metës dhe Luan Ramës, është seriozitet që buron nga struktura, nga një strukturim shumë inteligjent i partisë. Ai vinte nga Gramshi për të votuar në Tiranë, një lider mes Ilir Metës dhe Luan Ramës, çka është një përgjegjshmëri shumë serioze. Pastaj votimi elektronik, pjesëmarrja në parti me një vokacion shumë të lartë qytetar, duke i ndjekur besnik integrimit. Po, Edi Rama kujt i mbetet besnik? Taksat? Mirëpo për unifikimin qendror të taksave ka folur Lulzim Basha dy vjet përpara”.

Ata kanë  strategjinë e Rilindje shqiptare që duan ta zbardhin...?
Ideja e rilindjes është një megalomani politike e tipit enverist.

Pas tetë vjetësh të një force politike në pushtet...?
Më fal por kjo nuk quhet rilindje. Ato që janë miratuar dhe realizuar këto 7 vite, a nuk kanë qenë të rekomanduara nga Bashkimi Europian. Çdo qeverisje që vjen nesër do të vijë si vazhdim i kësaj qeverisje, këto mira të kësaj qeverie do të çojë më tutje dhe të këqijat do ti korrigjojë. Këtu nuk jemi në Rilindje, këtu jemi kundër sistemit demokratik që në palcë është tipike enveriste, që po të vijë në pushtet kujton se është viti 29 nëntor 1944. Në fakt ashtu do të ishte po të bënte vaki, sepse do të fillonin reprezaljet kundër pronarëve, të pasurve.

Ai flet për rekorde të korrupsionit gjatë këtyre viteve...?
Rekordet e korrupsionit i ka thyer kur ishte në Bashki me fasadat e denoncuara jo nga ne, por nga një ish-ministrja e Kulturës Esmeralda Uruci, që tha atëherë se “hajduti është në mes të shtëpisë”. Dosjet e Edi Ramës nuk janë hapur nga prokuroria, dihet që ka pasur korrupsion me skenar, si për shembull në disa rrugë afër ministrisë së Jashtme, apo fasadat e pallateve. Ky njeri s’mund të flas për rekorde korrupsioni. Në Partinë Socialiste nuk flet as një figurë e rëndësishme si Ben Blushi apo Arben Malaj, që gjithë jetën e ka në punët e PS. Cilat janë këto ekonomistë që ky i tregon përrallat me heqje taksash. Edi Rama kërkon të mbivendosë sjelljet prej diktatori të vogël, që me 3-4 persona të ngushtë jashtë strukturës dhe forumeve, që përcaktuese janë mesazhet dhe lidhjet e tyre. Në këtë kuptim, do të thosha se situata politika rrezikon të thellohet me rënien e opozitës në gabime edhe më të mëdha. Por falë Zotit është si ai mbrojtësi natyral i diabetit. Për fat të Zotit, Shqipëria dhe shoqëria shqiptare, do të vazhdojë ecjen pavarësisht këtij diabeti nëpër këmbë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›