E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Krahas vendeve të zhvilluara në garën e arsimit

Sipas kryeministrit, vendi ynë është radhitur me vendet e zhvilluara për sa i përket njohurive të nxënësve.

"Sot është një ditë e veçantë për të gjithë nxënësit e këtij vendi që nisin vitin e ri shkollor. Fillimi i vitit të ri shkollor është dhe fillimi i garës më të bukur të njeriut, është fillimi i garës më të bukur të shoqërisë, siç është gara e dijes. Ju uroj të gjithë nxënësve një vit të mbarë, sukses dhe mbarësi për të gjithë”, tha ai. Sipas Berishës, “reformat në fushën e arsimit po japin rezultatet e para shumë premtuese. Asnjë garë nuk është më e mirë se gara e dijes, e cila përcakton suksesin e të gjitha garave të tjera”.

Ai shtoi se “me një përpjekje të madhe kemi kryer reforma të thella gjatë viteve të fundit. Me këtë garë kemi vendosur të krahasohemi me vendet më të zhvilluara. Natyrisht baza nga e cila ne nisim këto vlerësime ishte shumë e shumë herë më e ulët krahasuar me bazën që bëhet vlerësimi i vendeve të zhvilluara”.

Më tej, kryeministri premtoi se qeveria do të bëjë gjithçka deri sa nxënësit shqiptarë të radhitemi me një nga vendet më të vlerësuara. “Jo rastësisht zgjodha shkollën tuaj, e cila ka një traditë të gjatë profesionale dhe sot është përshtatur me kërkesat e tregut. Përgatitja në fushën e turizmit ka rëndësi jetike në mënyrë që vlerat turistike të këtij vendi të shndërrohen në begati për shoqërinë shqiptare”, shtoi ai. Më tej, Berisha ka folur për turizmin dhe numrin e lartë të turistëve të huaj që kanë mbërritur vitet e fundit në vendin tonë. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-09-12 09:03
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›