E Shtunë, 31 Tetor 2026

MPJ: Shqipëria në krah të SHBA-ve në luftën kundër terrorizmit

“Sot mbushen 10-vjet nga ngjarja tragjike e 11 shtatorit 2001, e cila shokoi mbarë botën, por, njëkohësisht, shënoi edhe një epokë të re në angazhimin në një koalicion të të gjithë popujve që kanë përqafuar parimet universale të lirisë kundër kërcënimit terrorist e paqes”, thuhet në deklaratë.
     
“Ne i qëndrojmë sot në krah popullit amerikan për të përkujtuar me dhimbje të thellë humbjen e rreth tre mijë qytetarëve të pafajshëm, mes të cilëve edhe bashkëkombës shqiptarë dhe i shprehim solidaritetin e mbështetjen tonë gjithë familjarëve që humbën njerëzit e tyre të dashur”, vijon deklarata.
     
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, “kjo ngjarje e pashembullt ka lënë gjurmë të thella në historinë moderne. U sulmua vendi simbol i demokracisë. U sulmuan vlerat e botës së civilizuar, u kërcënua paqja dhe siguria ndërkombëtare”.
     
“Shqiptarët ndihen krenarë që ishin ndër të parët që dënuan fuqishëm këtë sulm barbar dhe iu bashkuan koalicionit ndërkombëtar anti-terrorizëm të udhëhequr nga SHBA. Në këtë ditë simbolike, të ngadhënjimit të paqes ndaj dhunës, konfirmojmë sërish vullnetin e palëkundur se Shqipëria do të vazhdojë të jetë në linjën e parë, në përmbushjen me përkushtim të angazhimeve të saj përkrah aleatëve dhe partnerëve të NATO-s, për të realizuar me sukses luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe garantimin e paqes dhe sigurisë në botë”, përfundon deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme./Start/

                                                                                             2011-09-11 09:05
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›