Integrimi, ministrat e jashtëm italian e grek sot në Tiranë

Ministri i jashtëm italian Franco Frattini dhe ai grek Stavros Lambrinidis do të vizitojnë sot Tiranën, në një mision të përbashkët për t`i dhënë një shtysë procesit të integrimit europian të vendit.
Përfaqësuesit e dy vendeve të Bashkimit Europian synojnë gjithashtu që të nxisin dialogun politik në vend dhe përshpejtimin e reformave të nevojshme për pëparimin e vendit në procesin e integrimit. Dy ministrat e jashtëm të BE-së do të shoqërohen gjatë takimeve të tyre në Tiranë nga ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian Ettore Sequi.
Treshja europiane pritet të ketë bisedime me Presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha e Ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto si dhe me kreun e opozitës Edi Rama.
Misioni në Tiranë vjen në një moment kur Shqipëria do të duhet të kalojë një tjetër provë të Brukselit. Në muajin tetor Komisioni Europian pritet të publikojë raportin e tij të vlerësimit mbi ecurinë e vendit si dhe të japë opinionin mbi kërkesën për statusin e vendit kandidat.
Një kërkesë e cila u refuzua vitin e shkuar. Dy ministrat e jashtëm pritet që t`i kujtojnë Shqipërisë rëndësinë e plotësimit të detyrimet që ajo ka ndaj Brukselit i cili ka identifikuar 12 prioritetetë cilat duhen zbatuar, dhe të kërkojnë që vendi të shfrytëzojë në maksimum kohën e mbetur.
Socialistët janë shprehur se do të angazhohen në mbështetje të plotë të procesit të inetgrimit dhe kanë kërkuar që në komisionet parlamentare të futen ligjet që kërkojnë miratim me tre të pestat, duke paralajmëruar megjithatë, se do t`i votojnë ato vetëm nëse janë në përputhje me standartet e kërkuara.