Berisha: Krimi në familje, burgim përjetë autorëve
Këshilli i Ministrave miraton Konventën e Këshillit të Ministrave të Evropës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”
Një nga çështjet e rëndësishme të trajtuara në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave ka qenë dhe fenomeni shqetësues i krimit në familje. Kryeministri Berisha tha se është e domosdoshme forcimi i dënimeve për krimet në familje, kundër bashkëshortes dhe vajzës, duke vendosur dënimin me burg përjetë.
Këtë qëndrim, Kryeministri e shprehu në një kohë kur Këshillit të Ministrave miratoi Konventën e Këshillit të Ministrave të Evropës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”. “Ky është një nga problemet më shqetësuese sot, të shoqërisë shqiptare. Ky është një problem, natyrisht, shqetësues për shoqërinë më gjerë se shqiptare, por në Shqipëri ka disa kulminacione jashtëzakonisht të papranueshme. E vërteta është se krimi në familje është rritur me shpejtësi të madhe. Në qoftë se vrasja e bashkëshortes pothuajse ka qenë inekzistente, sot, për fat të keq, kjo është jo e rrallë dhe është akt tmerrësisht i shëmtuar. Ne kemi bërë dhe bëjmë përpjekje, por përpjekjet duhet të jenë shumë më të mëdha. Duke pasur parasysh dallimin e qartë në agresivitet midis dy gjinive, unë mendoj se mund të vendoset dënimi përjetë, për të gjithë ata, të cilët e çojnë krimin deri në një kufi të tillë, të paimagjinueshëm. Le të na frymëzojë kjo Konventë, për të përcaktuar në Kodin tonë Penal, shkallën më të lartë të dënimit për të gjithë ata, të cilët ngenë hanxharin e krimit kundër bashkëshortes e vajës së tyre, gjë që përbën formën ndër më ekstremet, për të mos thënë më ekstremen, të krimit, formë, e cila ka qenë absolutisht, gjëja më e rrallë që mund të ndodhte, por që, për fat të keq, nuk është më e tillë”, u shpreh Berisha. Kryeministri theksoi se ratifikimit të kësaj Konvente, e cila i imponon shteteve anëtare standarde të reja, përpjekje të reja madhore në luftën kundër dhunës në familje, duhet të ndërmerren propozimet për dënimet për jetë, për tre vepra penale siç janë vrasja për hakmarrje, vrasja e policëve dhe vrasja e bashkëshortes dhe të vajzës.
“Për vrasjen e policit, krahas dënimit të prerë përjetë, të vendoset edhe konfiskimi i të gjitha pasurive. Në dy rastet e tjera, vrasjes për hakmarrje dhe vrasjen e bashkëshortes dhe të vajzës, duhet të vendoset dënimi përjetë. Kjo do të ketë ndikimin e vet. T’i dërgojmë propozimet në parlament dhe shpresoj që opozita do t’i votojë ato, si shprehje e një qëndrimi tërësor të shoqërisë shqiptare, e cila me shumë të drejtë i përjeton me tronditje të thellë. Çdo krim është tronditës, por krimet e mësipërme i rendisin ato si krimet më të shëmtuara. Për to ka përcaktime, por duhet të jenë më vete: për vrasjen e policit, dënim përjetë dhe konfiskim të pasurisë. Forma këto që ekzistojnë në Kodet Penale të vendeve mike dhe ne duhet t’i praktikojmë. Për vrasjen për hakmarrje dhe të bashkëshortes, dënim përjetë. Kudo që të shkojë, e di që do të marrë dënimin përjetë”, theksoi kryeministri Berisha.