Letërkëmbim/Përse komunistët nuk kërkojnë falje?
Mbase ngarkesa e madhe e problemeve politike e shoqërore të vendit tonë, veçanërisht me atë opozitën e E.Ramës dhe e të nënshtruarve të tij për me gjetë qimen në përpeq për të sjellë pengesa e për të thënë:- „Ju kam në dorë, ose më jepni Fierin, ose ju lë jashtë Bashkimit Europian“, si edhe kurthet e tij të dala bojës, të tipit 21 janari 2011 dhe, tani së fundi, greva e disa individëve që janë shpërblyer më shumë se të tjerët dhe janë përdorur si robotë për të zgjuar opinionin publik me zjarrvënie të bujshme, ndoshta këto e kanë rralluar fare „Letërkëmbimin“ që, në të vërtetë, ka qenë veçanërisht jona, e ish-të përndjekurve politikë.
Por tema ime është tjetër.
Përse komunistët nuk kërkojnë ndjesë për krimet e komunizmit në vendin tonë?
Kjo ngjau edhe me Pandeli Majkon, në intervistë para Blendi Fevziut, më 22 tetor. I pyeturi ndërroi fizionominë, u nervozua dhe nxori, si me ngërdheshje disa fjalë pa kuptim. - Hë, more, i jepni rëndësi gjerave formale, nuk, çka, për... veprimet jo fjalët... e disa rrokje kot më kot, si këto. Shkurt, s’deshi të përgjigjej. Ata që e dëgjuan e kuptonin ç’donte të thoshte: Nuk duam të angazhohemi. Ndjesa do të thotë frenim, të pranojmë fajësinë e diktaturës dhe krimet e saj. Të humbasim pikë në synimet pushtetmarrëse, të mos gjente nxitje shpërthimi i ’97-s, të mos shfajësoheshin të dënuarit politikë të nomenklaturës enveriste, të mos zbatohej Rezoluta e Këshillit Europian për dënimin e krimeve të komunizmit, të mos zbatohej projektligji i lustracionit... Këto, edhe pa i thënë Pandeli Majko, né, dëgjuesit, i nënkuptojmë édhe pa i artikuluar qartësisht prapamendimet me anë hungërimash, në vend të fjalës së shkoqur, nga ish-kryeministri socialist P. Majko. Kudo në vendet që kanë vuajtur nga diktatura komuniste nga shtatërt që kishin drejtuar vendin pas rënies së diktaturës, është bërë kjo pendesë. Vetëm te ne, kryeneçësisht, nuk është ngritur zëri i sinqertë i të kërkuarit të falur për atë kohë kur dënoheshe edhe për fjalën më të vogël të pamenduar. Esëll, apo i dehur. Aq më tepër, i dehur. Ç’ka barku e nxjerr bardhaku! Shumë të dënuar kanë hequr qelive të hetuesisë sepse kishin pakujdesínë që të flisnin për gjendjen shëndetësore të E. Hoxhës.
Ky regjim i frikshëm, ky sistem terrorist, i kalonte të gjithë homologët për shkak se këtu te ne nuk u bë destalinizimi. Në vitin 1956, në Kongresin XX sovjetik, u shkurorëzua Stalini, u rrëzua kulti i tij i individit dhe u nxorën nga gulagët të dënuarit pa faj. Te ne u bë e kundërta. Unë u arrestova pas vitit 1967, kur u bë shkatërrimi i institucioneve fetare , në vitin 1970. Në gjyq akuzohesha si katolik antipushtet, në shërbim të Vatikanit. Kërkova provat. M’u dha një goditje kurrizit, sa për pak shpëtoi e pashkëputur shtylla kurrizore. Mbeta invalid për një kohë të gjatë. Megjithatë më nxorën në gjyq një spiun birucash. E quajta jallan shahit. U tërbuan prokurori dhe kryetari i gjyqit. Pa asnjë fakt më dënuan me 15 vjet privim lirie. Në mbarim të dënimit, në grahmat e diktatorit, u ridënova me 15 vite të tjera. Do të mbetesha brenda edhe 5 vite të tjera pas rrëzimit të diktaturës, po të mos bëhej ndërrimi i sistemeve prej masave të gjera kundërdiktatoriale, të udhëhequra nga Dr. Sali Berisha, Hazëm Hajdari e antikomunistë të tjerë. Nuk jam shkruar në asnjë parti, sepse dola si invalid, por vota ime ka qenë kurdoherë për PD-në. Dhe kështu do të jetë kurdoherë, jo për “demokratët falsë” që bëjnë sikur e duan BE-në dhe janë të gatshëm të na lënë, për të tretën herë, jashtë radhëve të saj.
Ludovik M.
Poshtërsitë e veta ua ngarkojnë kundërshtarëve politikë/Ai që ju shkruan është një ish-i përndjekur politik që ka dalë nga burgjet komuniste (4 gjithsej) pas ndërrimit të sistemeve. Do kisha vdekur në burg, sepse sëmundja dhe mosha e shkuar do të ma kishin këputur mbijetesën. Pas daljes nga burgu u kurova jashtë shtetit. Dhe ja ku jam, ende gjallë. Këtë ripërtëritje, nëse do të mund të quhej kështu, - ia detyroj PD-së dhe kryetarit të saj, Dr. Berishës. Nuk dua të kem të bëj fare me ata të cilët ishin solidarë me falangat ogurzeza të Ramiz Alisë me enveristët e tij të cilët, me qentë e kufirit dhe me autoblindat e tyre, u përçapën për ta ruajtur statujën e Enver Hoxhës dhe tani kërkojnë të jenë protagonistët e demokracisë dhe, për paradoks, synojnë ende që të krahasojnë figurën e Ahmet Zogut I me atë të Enver Hoxhës! Djallëzia është e qartë: Meqë i bëhet njërit statuja, t’i bëhet edhe tjetrit! Ne cilin nga vendet e komunitetit evropian ata kanë parë që t’i thuren ditirambe diktaturës? Unë jam lexues i rregullt i “55-s”, sepse ky organ është marrë prej vitesh e vitesh me hallet e ish-të përndjekurve politikë, në dispozicion të të cilëve është edhe rubrika “Letërkëmbim”. Edhe titulli i gazetës “55” e tregon këtë përafrí shpirtërore të ish-të përndjekurve politikë konsekuentë dhe jo të yshtur nga parti të tjera të cilat nuk kanë dhënë asnjë kontribut, sado mikroskopik, ndaj shtresës sonë. Madje, na kanë parë me atë syrin e shtrembër . Konkretisht, kur kanë kërkuar ndonjë ndihmesë, për shembull për të gjetur “të drejtën” përse një gardist ishte pushuar nga puna duke qenë korrekt në detyrë, vetëm e vetëm se ishte ish- i përndjekur politik, kanë marrë përgjigjen: - Shkoni e drejtohuni te partia juaj, PD-ja! Këtu më duhet të sqaroj dy gjëra: Së pari, kjo ngjante kur ishin të majtët në fuqi (ai tetëvjeçari i dështuar tërësisht që u përdor nga E. Rama për të përmbysur ish-kryetarin e vet). Së dyti, që të mos merret si supozim, personi që ka dhënë këtë përgjigje ka qenë Gramoz Ruçi! Tani ky po na shtiret se iu hap barku për grevistët e së ashtuquajturës grevë, që çonte ujë në interesat zgjedhore të Edi Ramës.
***
Një artikull i një gruaje, na del në një organ të shtypit me një artikull që ka për titull “Jepi Hakën Ismail Qemalit”. Dikush edhe mund ta ketë lexuar këtë shkrim. Mban firmën e një gruaje, siç e thamë. Kërkon t’i vijë në ndihmë një “historiani” i cili, si enverist, i shpallur vetë si i tillë, kërkon që të shformojë faktet historike. “Po na zbehin figurën e Ismail Qemalit” kishte shkruar diku, në një gazetë, ky farë historiani, siç duket i preferuari i kësaj gruaje. Por nuk kishte përcaktuar se kush e kishte zvetënuar këtë figurë të cilën Enver Hoxha e kishte mbajtur për oportunitet, si shpallës të Pavarësisë Kombëtare, por i kishte rrasur burgjeve, internimeve dhe poshtërimit, të gjithë familjarët e Plakut të madh të Vlorës. Një nga njerëzit e kësaj familjeje, Darling Vlora, ka dalë me një libër të argumentuar, në të cilin tregon sesi këta persona të urtë e me dinjitet, u katandisën mësues shkollash në fshatrat më të humbura, pranë kolegësh injorantë që s’dinin as shqipen, kur familjari i I. Qemalit ishte me mbi 7-8 gjuhë të huaja! E këshillojmë këtë zonjë që kërkon t’i vërë vetullat një historiani të papërgjegjshëm, të lexojë në Bibliotekën Kombëtare librin e Darling Vlorës, me titullin “Ismail Qemal Vlora”. Meqë kam bindjen se nuk do ta bëjë këtë mundim, po ia lehtësoj punën dhe po citoj diçka nga ky libër: “ Rreth persekutimit të Familjes “Vlora” gjatë regjimit komunist, janë shkruar artikuj në gazeta të ndryshme. Gjithashtu, në mars 1996, departamenti “Bota Shqiptare” përgatiti një emision i cili u transmetua në RTV shqiptar, ku u pasqyrua realisht persekutimi i kësaj familjeje. Në indeksin sqarues 87, kemi: “Fajtorë pa faj – rrëfim për pasardhësit e Ismail Qemal Vlorës”, Producent Radiotelevizioni Shqiptar”, 1996.
Le të shihen datat, që dëshmojnë se këto vënie të gishtit në plagë janë vënë në kohën kur Berisha ishte President i Republikës. E themi këtë se ajo zonja që kërkon t’i dalë në mbrojtje pseudohistorianit, na nxjerr pikërisht Dr. Berishën, se na paskësh qenë i pandershëm dhe i pabesë ndaj I. Qemalit! Në f. 48, kemi një përshkrim të mallëngjyeshëm të gjendjes shëndetësore të Qamil Vlorës në burg. I shkruan një letër familjes, pak ditë para vdekjes. Aty kemi frazën “Une vallée de larmes et de misère”. Nuk e ka përkthimin. Po e përkthejmë për lexuesin: “Një luginë lotësh dhe mjerimi”. Për mungesë vendi, nuk po japim citime të tjera. Megjithatë po e përmbledhim mbrojtjen e pacipë të kësaj zonje në disa pika: 1. Ju (i drejtohet Dr. Berishës), një finok, që luani për mbijetesë në 7 porta. Me botën islamike e me botën perëndimore. Ndaç europiane, ndaç amerikane, (...) që keni luajtur aq pandershëm e pabesisht me I. Qemalin. (Ç’ka me botën islamike?). 2. E keni të pamundur që të flisni për Kosovën e Çamërinë e, (...) aq më pak, të shpallni një shtet nga e para në hisotirnë botërore. (Për Kosovën ka folur Enveri, duke i dhuruar ofiqin e sekretarit I të KQ të PPSh-së shokut Tito). 3. Akuzohet Dr. Berisha se ka injoruar një varg atdhetarësh, ndër të cilët, Lef Nosi, Mit’hat Frashëri, Rexhep Mitrovica, Sali Gjuka (Butka?). Përmend emra të flijuarish nga diktatura! Turp!).. 4.Shkruesja e shpifjeve duket se e kupton që ka rrjedhur. Sepse shkruan, pa e detyruar njeri, që të shkruajë gjera të hamendësuara: - “Nuk kam rrjedhur, jo!” (...) 5. Historiani i mbrojtur prej saj, paska vajtur në Boston “rastësisht” për të takuar Ramizin. Paskan shrehur fjalët më të mira për Safet Butkën e Abaz Ermenjin” (Të parin do të kishin vrarë po të mos vetëvritej. Të dytin me siguri kishin për ta vrarë, pas torturash, siç dinin të bënin “Ata”!)
Darling Vlora, u mërgua në Komo të Italisë, pas katrahurës së ’97-s. Ai me siguri do të vijë për festat. Ka të gjitha të drejtat e ligjshme që t’i padisë për mashtrim, si njërin ashtu edhe tjetrën!
Alush T.