Berisha: Kryengritje paqësore e qëndrueshme për krijimin e qeverisë teknike

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot në një bashkëbisedim me qytetarët për zhvillimet politike, se mazhoranca ka vendosur të heqë edhe atë hapësirë minimale që ka opozita në parlament për të marrë fjalën për procedurë.
Duke iu referuar mbledhjes sv djeshme të grupit parlamentar të PS-së, Berisha tha “de facto po pushtohet parlamenti dhe po përdoret në një grusht shteti për të marrë pushtetin e drejtësisë”.
Tashmë, sipas tij, fjala është vetëm e qytetarëve.
“Fjala është e qytetarëve, të cilët duhet të ngrihen me forcën më të madhe dhe do ngrihen me forcën më të madhe për të shpëtuar Shqipërinë nga ky regjim që po vjedh me një shpejtësi të paimagjinueshme buxhetet, pronat publike dhe po largon çdo ditë e më shumë shqiptarët”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, PD dhe aleatët e saj bashkë me qytetarët janë të vendosur në një betejë përfundimtare për largimin e përfaqësuesve të narko-shtetit, vendosjen e një qeverie teknike me dy qëllime kryesore.
“Së pari, reformën zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve. Së dyti, reformën territoriale dhe zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Dhe natyrisht heqjen dorë nga çdo formë bllokimi të veprimeve, të urdhrave të sistemit të drejtësisë”, u shpreh Berisha.
I pyetur nga qytetarët për veprimet e ardhshme të opozitës, Berisha tha se PD beson se me një kryengritje paqësore të qëndrueshme, është plotësisht e mundur largimi i qeverisë nga pushteti.
“Një kryengritje e zgjatur, paqësore është jetike dhe vendimtare për fatin e Shqipërisë. Po bëjmë përgatitjet tona dhe besojmë se shumë shpejtë qytetarët, opozitarët do të jenë të gatshëm për këtë akt, proces, lëvizje”, tha Berisha.
Kreu i PD foli edhe për bashkëpunimin me partitë e reja të opozitës duke thënë se mbështet protestën e Lapajt.