E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Kuader ligjor per mbrojtjen e prodhimit te qumshtit

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e fabrikës së qumështit në Rrogozhinë, investim i kompanisë Meggle Albania Sh.p.k, degë e kompanisë gjermane “Meggle AG”, ndër kompanitë më të shquara, pionere e produkteve të qumështit në Evropë. Ky është prodhuesi më i madh vendas i qumshtit në kuti të kompanisë “Tetrapak”. 
Investimi me vlerë 5 milion euro sjell në Shqipëri një fabrikë të modernizuar qumështi, të përqendruar në linjat e prodhimit të qumështit UHT (Ultra-high temperature processing) dhe kosit. Kjo fabrikë do të sjellë për konsumatorin shqiptar produkte të standardeve të larta ushqimore, te garantuara nga ana higjeno-sanitare dhe e shëndetit, të cilat do të prodhohen nëpërmjet një teknologjie moderne që përbën risi në fushën e industrisë ushqimore dhe të produkteve ushqimore. 
Ndërkohë që gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal dhe në diskutimet mbi heqjen e TVSH-së.
“Kërkesat për t’i hequr qumështit TVSH-në janë të rrezikshme për çdo fermer shqiptar. Unë shfrytëzoj këtë rast për t’u përcjellë të gjithë fermerëve të vendit që jo vetëm që nuk do të hiqet TVSH-ja e qumështit, por një kuadër ligjor për mbrojtjen e prodhimit të tyre do të vendoset sa më shpejt, se nuk do të mundet që të frenohen prodhimi i tyre dhe të falimentojnë fermat e tyre nga qumësht i sojës dhe të përzier me të gjitha llojet”, vuri në dukje Berisha. 
Sipas tij, çdo familje duhet të shihet si një biznes të vogël me lopët. 
“Në çdo familje duhet të shohim një biznes punësimi, ndaj dhe ju jap fjalën që vitin që vjen qeveria do të rrisë në mënyrë të ndjeshme mbështetjen për fermat e prodhimit të qumështit dhe si një lajm të mirë për ju javën që kaloi ne dekretuam si qeveri heqjen e TVSH për të gjitha makineritë që do të inportohen.  Për ju dhe të gjithë, kështu që inpiante të tjera të përpunimit të bulmeteve që do të ngrihen ne qarqet e tjera të vendit do të jenë të përjashtuara tërësisht nga TVSH. Le të punojmë pra ne sëbashku për të zhvilluar këtë industri jetike për shëndetin e qytetarëve dhe sigurinë e tyre. Ju festoni 125 vjetorin Shqipëri feston 100 vjetorin”, deklaroi Berisha.
Të pranishëm në inaugurim ishin ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, drejtuesit e kompanisë “Meggle”, kompanisë “Tetrapak”, etj. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›