E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Kundër Ramës, nuk rrisim taksat për të pasurit

TIRANË- I pranishëm në panairin agro-biznes-turizëm në Petrelë, kryeministri Berisha i kërkoi fermerëve të 100-fishojnë drurët frutorë në tokat e tyre, duke krijuar kështu më shumë të ardhura për familjen e tyre.

"Kërkojmë të shumëfishohen drurët frutorë në këtë vend, sepse kjo është një rrugë e sigurtë drejt begatisë të familjeve, të komunave tuaja, të vendit tonë“, tha Berisha.

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë premtoi më shumë investime për fermerët. "Sot jemi në zemër të tregur më të madh të botës, që është tregu i BE-së. Të bëjmë gjithcka për të rritur prodhimet tona të mrekullueshme. Në asnjë vend tjetër nuk janë prodhimet më të shijshme se këtu, ullinj të shijshëm si Tirana, Mallakastra, Berati e Elbasani nuk prodhohen askund. Qeveria do shtrijë infrastrukturën për t’iu ardhur në ndihmë. Fshatrat e komunat tuja nuk do kenë ndryshim nga lagjet e qyteteve tona, as nga komunat e vendeve të Evropës”, deklaroi kryeministri.

Në kuadër të ndihmës së qeverisë për fermerët, Berisha premtoi se qeveria e tij nuk do t’i dëmtojë fermerët duke rritur taksat. Kryeministri kundërshtoi edhe njëherë kryesocialistin Rama, që sipas tij kërkon të rrisë taksat për të pasurit.

"Qeveria nuk do të rrisë taksat, sic kërkon Rama me një urrejtje arkaike ndaj të pasurve. Unë i them atij se problemet e varfërisë në sistemin e lirisë nuk zgjidhen kurrë duke luftuar të mëkëmburin, por zgjidhen duke bërë cdo gjë që edhe të varfërit të bëhen të mëkëmbur. Nëqoftëse ti rrit taksat sic thua, për të shkatërruar me një të rënë të lapsit qindra mijëra vende pune, nuk bën gjë tjetër vecse thellon varfërinë dhe mjerimin në vendin tënd. Kjo kohë ka perënduar, nuk kthehet më, merru me kujtimet e tua”, tha Berisha në përfundim të fjalës së tij.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›