Berisha: Kundërshtimet për censusin për qëllime meskine
Lëvizje atavike. Kështu i ka cilësuar kryeministri Berisha protestat e aleancës “Kuq e Zi” kundër regjistrimit të popullsisë ndërsa këtë lëvizje e ka etiketuar si lëvizja “faqezi”.
Duke folur në ceremoninë e inagurimit të qendrës për mbledhjen e të dhënave për censusit, kryeministri Berisha pa përmenduar emra por që kuptohet se për kë bëhet fjalë theksoi se këto lëvizje organizohen nga zyrtarë të cilët keqpërdorin detyrën e tyre shtetërore për qëllime meskine.
“Duhet të theksoj që në një shoqëri të lirë grupet kanë të drejtë të kenë qëndrimet e tyre, t`i shpallin ato pa asnjë lloj kufizimi por kur këtë e bëjnë institucione të cilat në kushtetutën e vendi janë të depolitizuar kjo lëvizje nuk mund të quhet përveçse lëvizja faqezi” ka theksuar Berisha.
Kryministri Berisha duke e cilësuar censusin si një akt madhor theksoi se regjistrimi i popullsisë dhe banesave do të zhvillohet me teknologjinë më moderne.
“Regjistrimi i popullsisë 2011 është më i veçanti në historinë e vendit për vetë faktin se për shumë arsye është i pari regjistrim i lirë pas ato të bëra në fillimet e mbretësirë shqiptare” ka theksuar Berisha.
Sipas tij shqiptarët i nënshtrohen këtij procesi si qytetarë të lirë për të dëshmuar vullnetin e tyre të lirë, për përkatësinë etnike dhe besimin fetar.
“Regjistrimi është një akt themelor që do të bëj të mundur që politikat e qeverisë të jenë më të drejta dhe më të ndershme pasi do të japë të dhëna për demografinë e retheve dhe rajoneve për një shëprndarje më të drejtë të të ardhurave buxhetore në të gjithë vendin” ka shtuar më tej Berisha.
Shefi i qeverisë ka theksuar më tej se regjistrimi i popullsisë do të shërbejë si orientim shkencor për të gjitha proceset demografike të vendit të cilat janë shumë të rëndësishme.
Sipas tij nëpërmjet regjistrimit të popullsisë do të bëhet monitorimi i trendit demografik të shoqërisë dhe kombit në tërësi.
“Regjistrimi ka dhe një merit tjetër. Është një pasqyrë e kristaltë e përpjekjes dhe arritjes së madhe të shqiptarëve në këto vite lirie” ka shtuar kryeministri.