E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ky jubile, homazh për ata që themeluan “Vatrën

Në përfundim të vizitës së tij në SHBA, Kryeministri Berisha, mori pjesë si i ftuar nderi në ceremoninë e festimeve të 100 vjetorit të Federatës Pan Shqiptare "Vatra", i cili përkon edhe me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që merrte pjesë në ditën jubilare të Vatrës për të përshëndetur në emër të qeverisë shqiptare dhe shqiptarëve. “Ky 100 vjetor, është një homazh i madh për ata burra që 100 vjet më parë themeluan këtu në atdheun e lirisë në vendin e madh të lirisë, “Vatrën” , si vatër të lirisë së kombit shqiptar", u shpreh Berisha.
 

Kryeministri kujtoi me nderim dhe mirënjohje themeluesit e saj, të cilët në një kohë përcaktuese për fatet e kombit u bashkuan dhe themeluan organizatën e vlerave të mëdha kombëtare. Ai vlerësoi rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm historik që “Vatra” luajti në momentet më deçisive për kombin shqiptar, përgjatë një shekulli.

“Ne nderojmë sot Fan Nolin dhe Faik Konicën, Paskal Aleksin dhe Lambi Çikozin, Elio Tromarën, Kosta Vasilin, Koço Kota e shumë të tjerë, të cilët në një kohë përcaktuese për fatet e kombit u bashkuan këtu dhe themeluan organizatën, të cilën gjeniu i mendimit shqiptar Fan Noli do ta pagëzonte dhe do të përzgjidhte për të midis të gjithë emrave, më të bukurin, më kuptimplotin, “Vatrën”. Ne nderojmë sot këtu përpjekjet dhe kontributin e madh historik që kjo organizatë ka dhënë në pavarësinë e Shqipërisë. Nderojmë kontributin e madh dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që vatranët dhe diaspora në këtë vend dha, për themelimin e Kishës Autoqefale shqiptare, si bastion i fuqishëm i besimit të shqiptarëve, atdhetarisë së tyre. Ne nderojmë këtu kontributin e atyre qindra e mijëra shqiptarëve që erdhën në këtë vend një shekull më parë, një nga vendet më të varfra të botës, ndanë kafshatën e gojës me vëllezërit e tyre në Shqipëri, ndanë gjithçka me qeverinë e sapo krijuar shqiptare, derdhën gjak si luftëra lirie për konsolidimin e pavarësisë së Shqipërisë.” theksoi Berisha.
 

Ai ka theksuar më tej se në të gjitha këto vendime të mëdha të kombit amerikan, të qeverisë amerikane, të cilat natyrisht kanë në bazë parimet dhe vlerta themelore mbi të cilat është ndërtuar ky vend dhe ky shtet, ju vatranë, diaspora shqiptare ka rolin e saj të madh dhe të jashtëzakonshme. Ju bëtë gjithçka që çështja e shqiptarëve, problemet e tyre të drejta, të shndërrohen në probleme të mendjes dhe zemrës së qeveritarëve dhe qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju duhet të ndiheni krenarë dhe shqiptarët janë krenarë me ju, për kontributin tuaj historik dhe të jashtëzakonshëm.

“Sot është një ditë homazhi e madhe për të gjithë diasporën shqiptare në këtë vend, e cila ka shpalosur këtu gjeninë krijuese të kombit shqiptarë. Ne të gjithë sa jemi këtu ndihemi krenarë me arritjet e shqiptarëve në SHBA. Nga nobelistë siç është profesor Ferit Murati, tek artistë dhe personalitete të shquara të Hollivudit si vëllezërit Belushi, Eliza Dushku, Stend Dragoti, drejtues të suksesshëm korporatash dhe biznesmenë që bënë emer si Antonia Thanas etj. Fotografi i pavdekshëm Xhon Mili, gazetarë të mëdhenj si Bill Kovach, Pier Lukas. Askund më shumë në asnjë vend tjetër gjenia krijuese e shqiptarëve nuk ka arritur sa çka arritur në këtë vend të lire” shtoi Berisha.
 

Gjatë këtij aktiviteti, krerët e të katër komuniteteve fetare, të atij mysliman, katolik, ortodoks, dhe komunitetit bektashian në fjalët e tyre iu lutën Zotit për të bekuar Shqipërinë, për të vijuar me këtë harmoni të shkëlqyer fetare dhe me patriotizmin që karakterizon shqiptarët, të cilët gjatë gjithë periudhës së historisë së tyre ndihmuan dhe bashkëpunuan në mënyrë vllazërore me njëri - tjetrin duke mbështetur njëri - tjetrin për të ruajtur gjuhën, kulturën,identitetin, pavarësinë.
 

Gjithashtu aktivitetin e përshëndetën edhe zëvëdës/kryeministrja e Maqedonisë, zonja Teuta Arifi, Ministri Makolli, ambasadori Arvizu e një sërë personalitetesh të tjerë, të cilët iu referuan ngjarjeve historike që nga themelimi i Vatrës e më pas me pavarsimin e Shqipërisë, duke bërë një bilanc të këtyre 100 viteve dhe i njohën të pranishmit me disa momente kyçe, me kontributin që ka patur Vatra për çështjen e kombit, rolin dhe ndihmesën e kësaj bashkësie për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, për zhvillimin ekonomik e kulturor të tij, ruajtjen e identitetit etj.
 

E krijuar më 28 prill të vitit 1912 në Boston, por me qendër sot në New York, Vatra festoi ditën e djeshme 100 vjetorin e themelimit të saj me një aktivitet ku merrnin pjesë drejtues të saj, Kryetari zoti Gjon Bucaj, Zëvëndës Kryeministrja e Maqedonisë zonja Teuta Arifi, ministri i Kosovës për diasporën Ibrahim Makolli, ambasadori Amerikan, zoti Aleksandër Arvizu, krerët e të katër komuniteteve fetare, të atij mysliman, katolik, ortodoks dhe komunitetit bektashian, anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë të Vatrës si dhe një numër shumë i madh shqiptarësh të diasporës nga SHBA, por edhe Kosova, Maqedonia, Mal i Zi e Lugina e Preshevës, përfaqësues të arbëreshëve të Italisë, studiues, historianë, intelektualë, personalitete të kulturës, artit, shkencës, si dhe shumë të ardhur enkas nga Shqipëria për të festuar 1 shekull të Vatrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›