E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Lartësoni me krenari dy gishtat e fitores, do të kurorëzojnë fitoren e 23 qershorit”

13-06-2013 / Gazeta 55

Mazhoranca prezanton kandidatët për deputetë në Njësitë Bashkiake 1 dhe 11 të kryeqytetit

Kryeministri ironizon kreun e PS/ Edi Ramën e kanë braktisur të gjithë. Alternativa e tij e re, është “ma lësho ti vendin mua se je i lodhur, të vij unë se jam i çlodhur”

Njësia Bashkiake nr.11 ka qenë stacioni i fundit për kryeministrin Sali Berisha ditën e djeshme, në vijim turit elektoral për prezantimin e kandidatëve të Partisë Demokratike. Kreu i qeverisë premtoi para banorëve të Laprakës se, “4 vitet që vijnë, me masat që po ndërmerren në favor të industrisë turistike në vend, do të rritet ndjeshëm punësimi në këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë së vendit”. Përgjysmimi i taksave për industrinë turistike dhe dyfishimi i numrit të turistëve, sipas Kryeministrit, do të ndikojë ndjeshëm në nxitjen e punësimit. Berisha siguroi banorët se 4 vitet që vijnë, bashkë me kryetarin e Bashkisë, Lulzim Basha, deputetin e zonës, Visar Zhiti, si dhe kryetarin e minibashkisë, Haki Mustafa, do të bëjmë gjithçka për të ndërtuar Tiranën moderne. “Përulem para jush për punën e madhe që keni bërë dhe djersën që keni derdhur në kryeqytetin e vendit. Ju erdhët këtu nga të katër anët e Shqipërisë si të pastrehë dhe ndërtuat jetën tuaj”, iu drejtua kryeministri banorëve të kësaj minibashkie, ndërsa risolli edhe njëherë në vëmendje kompleksin që sipas tij ka kundërshtari i tij politik me origjinën e qytetarëve. Sipas tij, Edi Rama shpesh është i kompleksuar për origjinën e qytetarëve dhe është i gabuar, pasi në jug dhe në veri, në lindje dhe perëndim, qytetarët kërkojnë vetëm një gjë nga politikanët, ndershmëri dhe trajtim të barabartë. “Edi Rama të pyes veten se çfarë bëri për 11 vjet për këta qytetarë, që ndërtuan këtu me lumenj djerse ëndrrën e tyre. Por është pikërisht kompleksi i braktisjes që u bëri për 11 vjet qytetarëve, që nuk e lëshon ende”, tha Berisha. Duke u ndalur te programi elektoral i PD-së, Berisha siguroi se 4 vitet që vijnë, qeveria do të bëjë gjithçka për punësimin dhe mirëqenien e qytetarëve. “Jemi të vendosur të krijojmë në Tiranë dhjetëra mijëra vende pune me heqjen e taksave për të gjitha makineritë dhe çdo material importi për biznesin, me krijimin e dy parqeve industriale, të cilat do të gjenerojnë krijimin e 30 mijë vendeve pune, me hapjen e kantiereve të Tiranës së shekullit të 21, bulevardit të ri dhe planit të ri urbanistik, që do të sjellë Tiranën moderne në çdo rrugë dhe rrugicë”, tha Berisha.
Ndërkohë, sipas Berishës, 4 vitet që vijnë, Shqipëria, vend lider energjie në rajon, do të jetë ëndrra që do ta bëjmë së bashku realitet. Ai theksoi se në qindra HEC-et që po ndërtohen do të punësohen dhjetëra mijëra shqiptarë. “Brenda këtij viti do të marrim statusin e vendit kandidat. Qindra milionë euro investime do të marrim nga BE, dhjetëra mijëra vende pune do të krijohen. Ne do ta shndërrojmë Shqipërinë në një vend lider në rajon për teknologjinë e informacionit ku do të dyfishohet numri i të punësuarve”, tha Berisha. Kryeministri shprehu bindjen se “fitorja në 23 qershor është e garantuar, ndërsa ftoi të gjithë qytetarët që këto ditë që na ndajnë nga zgjedhjet të lartësojnë me krenarinë më të madhe dy gishtat e fitores”. “Mos harroni se me dy gishta lart përmbysëm diktaturën më të egër. Edi Rama që vërsulet me urrejtje kundër dy gishtave është i gabuar se me këtë simbol ne firmosëm historinë e lirisë së Shqipërisë. Shqipërinë nuk e bëri grushti stalinist, por dy gishtat lart”, tha Berisha. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›