Vrau për gjakmarrje në 2002, arrestohet në kryeqytet Geron Hasanbelliu
Policia e Tiranës ka vënë në pranga Geron Hasanbelliun të dyshuar për një atentat të kryer në Belgjikë në vitin 2002. Atentati i organizuar nga Geroni dhe vëllai i tij, në një lokal në Antverp të Belgjikës, la të vrarë Julian Çelën, ndërsa u plagos rëndë Kasandër Noga.
Atentati erdhi si hakmarrje e dy vëllezërve dhe pasoi një seri atentatesh të ndodhura mes dy fiseve Noga dhe Hasanbelli.
Pas ngjarjes në Belgjikë Geroni arriti të arratisej dhe u strehua në Itali, ku u arrestua në vitin 2009 dhe u ekstradua në Shqipëri nën akuzën e vrasjes së Julian Çelës dhe plagosjes së Kasandër Nogës.
Por Gjykata e Shkallës së parë në vitin 2010 e shpalli të pafajshëm Geron Hasanbelliun për këtë akuzë. Çëshja shkoi në Apel dhe në fund të vitit 2012 Gjykata e Apelit e rrëzoi këtë vendim dhe e dënoi atë me 21 vjet burg. Në zbatim të këtij vendimi policia e Tiranës e ka vënë në pranga mbrëmjen e sotme në rrugën e “Barrikadave”.