Rama mbeti duke i fryrë Rilindjes, se po i shuhet
Zjarri i fushatës së opozitës është fikur. Edi Rama është tmerruar nga skalitja e perspektivës së humbjes, dhe po shpik “Erën e Rilindjes”, si një manipulim mediatik, për të mbajtur gjallë falangat e militantëve. Për këtë fazë finale paniku, në opozitë tashmë po u fryhen kërcënimeve e ndasive, si ato kundër banorëve të veriut, kundër shqiptarëve besimtarë, kundër të ashtuquajturve bajraktarë të provincës, etj
Kreu i PS-së Edi Rama zhvilloi ndoca takime elektorale me banorët e qarkut të Dibrës, të cilëve ju deklaroi se, “era e Rilindjes do hapë Rrugën e Arbrit për ju”. Mund të duket paksa e pazakontë për një pretendent për kryeministër si Edi Rama që skualifikon kundërshtarin politik, kryeministrin Berisha se krenohet vetëm me rrugët dhe nga ana e tij premton edhe vetë hapjen e rrugës së Arbrit. Edi Rama deklaroi se “Rilindja” do të bëjë rrugën e Arbrit. Mirëpo dy gjëra mund të jenë, ose Rama ka mungesë të theksuar informacioni ose është një hipokrit i kategorisë së parë. Rruga e Arbrit është drejt përfundimit pasi 34 kilometra të rrugës nga Ura e Çerenecit drejt Urës së Vashës dhe nga qendra e Tiranës drejt tunelit të Murrizit, pjesa më e vështirë e së cilës, në këtë anë, ka përfunduar. Në fakt, Edi Rama përpara së të deklarojë se do të bëjë një rrugë që po bëhet duhet të sqarojë pozicionin që kanë mbajtur deputetët socialist në parlament që refuzuan të votojnë çeljen e fondeve për fillimin e punimeve.
Megjithatë është e lehtë të kapësh kundërthëniet e deklaratave të Edi Ramës sepse mendjen nuk e ka tek koherenca e qëndrimeve dhe pohimeve. Edi Rama e ka mendjen të rendë në çdo cep që ka shkelur kryeministri Berisha dhe t’ju thotë banorëve se ai është “gjysh me antiplumb” dhe “është i lodhur”. Lodhjen e Berishës mund ta ëndërrojë Edi Rama. Sa për moshën politika botërore ka njohur ekselenca të njohura, Uinston Cërçill, fitoi mandatin 5 vjeçar si kryeministër i Anglisë në moshën 72 vjeçare dhe e përmbylli mandatin me sukses. Ndërsa i lodhur në rast mund të jetë Edi Rama, që në fakt, ngjirja e zërit e tij në “mitingjet” e fundit në Berat, Peshkopi dhe Bulqizë është një tallje cinike që natyra i bën atij që shan e sulmon kundërshtarin për moshën dhe lodhjen fizike.
Ndërkaq Edi Rama po i fryn “Rilindjes” socialiste të vendit me një frymë përjashtuese egocentrike që ngjall një neveri për çdo qytetar me një fije respekti për veten dhe familjarët e tij. Me një gjuhë enveriste Edi Rama flet për “latifondistë”, “bajraktarë”, “skllavopronar e skllevër”, etj., duke futur përçarje si në një luftë klasash të varfër dhe të pasur. E ndërsa të pasurit i ka brenda Partisë Socialiste dhe 20 prej tyre janë kandidatë të sigurt për të zgjedhur deputetët, Edi Rama flet për minatorët dhe fermerët për kushte të vështira të punës. Kjo tallje e pacipë dëshmon edhe një herë tjetër karaturën e dobët morale të kryetarit të Partisë Socialiste që për motive të dobëta elektorale shfrytëzon çdo gjë për të marrë pushtetin.
Sidoqoftë një gjë është e sigurt: Edi Rama po i fryn zjarrit të “Rilindjes”, se po i shuhen motivet përpara 23 qershorit. Demotivimi i bazës u pa farë qartë në dështimin e takimeve në Libohovë të Gjirokastrës dy ditë më parë, njëlloj siç ndodhi para ca javësh në qendër të Elbasanit, ku veç dy mijë të punësuar të Qazim Sejdinit kishin dalë ta prisnin. Qytetarët nuk janë më naiv sa të besojnë një politikan që nuk ka një ide për qeverisjen, për ndërtimin e shtetit dhe funksionimin e saj. Sharja e institucioneve të Shtetit dhe mekanizmave të saj, si Policia apo Shëndetësia, nuk është një alternativë e besueshme. Edi Rama t’i fryjë sa të dojë propagandës populiste të fillimit nga e para të gjërave, pasi qytetarët nuk kanë ndër mend të hedhin poshtë një investim dhe mundin e punës së tyre.