Berisha: Leximin e kemi dhunti, por duhet kujdes për matematikën. Dyfishova pagat e mësuesve
Kryeministri Sali Berisha ia ka kushtuar fjalën e sotme në mbledhjen e qeverisë, arsimit. Berisha tha se do vijojë të punohet për arsimin, duke pasur në qendër të vëmendjes mësuesin. Kryeministri tha se mësuesve iu janë dyfishuar pagat, çka ka ndodhur në asnjë vend tjetër. Berisha tha se do i kushtohet vëmendje edhe përgatitjes së mësuesve të rinj. Kryeministri deklaroi se shqiptarët e kanë leximin dhunti, por duhet bërë kujdes më matematikën.
Gjeni më poshtë pjesë nga fjala e Berishës.
Rendi i ditës me të cilin jeni njohur, ka një seri çështjesh të rëndësishme, por unë sot dua të ndalem tek arsimi.
Ne me një vendosmëri, por jo pa vështirësi, ia dolëm që në një hark kohor të shkurtër të dyfishojmë rrogat e arsimtarëve.
Ne deklaruam vite më parë se reformën në arsim do e fillojmë me mësuesin dhe vendosjen e tij në piedestalin që ekziston, krijimin e të gjitha kushteve që ai të përmbushë misionin, sepse mësuesi është misionar. Në këtë aspekt, situata ekonomike ishte mjerane dhe nga arsimi largoheshin mjerisht mësues dhe mësuese dhe arsimi po shkonte drejt degradimit të vërtetë.
Realizuam ndryshime të thella në sistemin arsimor. Ka kërkesa të shumta për punësimin në këtë sistem nga vajza e djem. Në arsim, falë investimeve serioze, në vitin 2009 përfundoi shtrirja e internetit në çdo shkollë dhe tani po ecim drejt internetit në çdo klasë. Janë ndërtuar dhe rindërtuar rreth 60 përqind të shkollave ekzistuese të vendit. Ndryshime rrënjësore janë bërë në pajisjen me bazë laboratorike, në kurrikulën, por në politikën tonë mësuesi do mbetet në qendër të përpjekjeve.
Sot në universitetet tona janë mbi 520 programe, të diversifikuara të gjitha mbi bazën e kërkesave të tregut. Sot është rritur me shumë e shumë herë numri i studentëve në teknologjinë e informacionit, në shkencat teknike. Kërkesat për mësuesi janë të shumta. Por ministria e Arsimit dhe qeveria do të gjejnë të gjitha mënyra për të përparësuar, për të vendosur në krye të përpjekjeve të saj cilësinë e degëve dhe fakulteteve të mësuesisë. Prapë tek mësuesi do të kemi një platformë, në qoftë se tek e para, më e vështira ishte dyfishimi i rrogave, i pandodhur ndonjëherë në asnjë vend, ne këtë vit do ndërmarrim të gjitha reformat në mënyrë që degët dhe fakultet e mësuesisë të kenë cilësinë më të lartë. Është e domosdoshme që të adaptojmë dhe përshtasim kriteret dhe fondet më të suksesshme që ekzistojnë, metodat më të mira evropiane për përgatitjen e mësuesve. Është e domosdoshme që rreth 40 mijë arsimtarë të vendit të kenë mundësi për kualifikimin dhe rikualifikimin e tyre. Nuk ka profesion më serioz për ne se mësuesi. Të gjitha agjencitë e ministrisë së Arsimit të trajtojnë problemin e kurrikulës parauniversitare.
Ne do bëjmë gjithçka që shkencat ekzakte, matematika dhe leximi të jenë përparësi absolute. Leximi është një dhunti shumë e përhapur tek ne. Ne duhet të tregojmë kujdesin maksimal për të, por duhet të tregojmë kujdes për matematikën. Duhet të seleksionojmë dhe mbështesim me bursa më të mirat e matematikës në të gjitha shkollat e vendit. E vërteta është se matematika kërkon një përkujdesje të veçantë.