Berisha: Ligji i padrejtë 7501, i diktuar nga fakti se 75% e shqiptarëve jetonin në fshat

TIRANË, 19 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se “është bërë gjithçka që kthimi dhe kompensimi i pronave të pengohet në shkallën më maksimale. Nga 26 mijë dosje nga viti 2014 deri më sot janë zgjidhur gjithsej 800 dosje”.
Gjatë paraqitjes pasditen e sotme të programit të koalicionit PD-Aleanca për Shqipërinë madhështore” për pronën, Berisha tha se PD bëri shqiptarët pronarë të banesave ku kishin jetuar para viteve ’90 të 224 mijë apartamenteve të ndërtuara në 50 vite”.
“Në një mënyrë, ose një tjetër krijoi fermat e vogla në fshat, por prapë ajo hodhi hapa të drejta për kompensimin fizik të pronës dhe filloi ta aplikojë në bashkëpunim me pronarët atë skemë. Në vitet 2005-2013, nuk u korrigjuan të gjitha ligjet, por shumë nga kufizimet u hoqën. Dhe ajo ç’ka mund të them unë, Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave ktheu faktikisht 106 mijë hektarë tokë, nga të cilat mbi 14 mijë truall, të tjera tokë bujqësore, kullota”, nënvizoi Berisha.
Kjo agjenci, shtoi Berisha, me një punë efikase arriti të rikthejë qindra e qindra objekte, dhe të dëmshpërblejë financiarisht ish-pronarët me 37 milionë euro.
“Agjencia, përveç këtyre, përzgjodhi 71 mijë hektarë tokë publike për të kompensuar pronarët. Pra, krijoi një fond vërtet të fuqishëm për kompensimin e pronarëve për tokat që nuk i kishin më”, tha Berisha.
Kreu i PD-së foli edhe për ligjin 7501 për ndarjen e pronave.
“Ligjet e para që miratuam, ishin ligje të diktuara. pasi, sigurisht, një realitet tjetër ekzistonte, i vështirë. Transformimi i Shqipërisë në një rezervat njerëzor e bënte shumë të vështirë rikthimin e menjëhershëm të tokave pronarëve. Ligji 7501, një ligj i padrejtë ndaj pronës, u diktua së pari nga realiteti ku 75% e shqiptarëve ishin ngujuar në fshat, dhe t’ua hiqje tokën mbeteshin vetëm me qiellin mbuluar, por nuk ka asnjë diskutim që ai përcaktim, ai ligj kishte në bazë dhe psikologjinë e hapur antipronë në qëndrimin ndaj pronarëve”, tha Berisha.
“Shqipëria ka çdo mundësi që problemet e trashëguara me pronarët legjitimë dhe me të përndjekurit politikë t’i mbyllë gjatë 4 viteve që vijnë, dhe do t’i mbyllë ato”, tha Berisha.
/k.s/j.p/