Berisha: Ligji për TVSH, sipas ekspertizës më të mirë
Qeveria miraton vendimin për shpronësimin e pronarëve për investimin që do kryhet në energjetikë, në kaskadën e Devollit e zona të tjera
Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave miratoi disa vendime dhe projektligje të rëndësishme. Gjatë fjalës së tij në fillim të mbledhjes, kryeministri Berisha u ndal në tre vendime të rëndësishme. Vendimi i parë kishte të bënte me Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë. Kryeministri Berisha tha, se ky ligj është përgatitur nga një pune e madhe e specialistëve tanë më të mirë të kësaj fushe dhe specialistëve Europian të kontraktuar, duke pasur parasysh faktin, TVSH si taksë themelore e vendit. Sipas tij, me këtë ligj sistemi, pëson një përmirësim të ndjeshëm në të gjitha aspektet, por natyrisht i takon parlamentit dhe shumicës që vjen ta miratojë, megjithëse ligji ka shkallën më të lartë të ekspertizës. “Ndër ligjet më themelor është Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë. Ligj, i cili është përgatitur nga një pune e madhe prej specialistëve tanë më të mirë të kësaj fushe dhe specialistëve Europian të kontraktuar, duke pasur parasysh faktin, TVSH si taksë themelore e vendit. Me këtë ligj sistemi, pëson një përmirësim të ndjeshëm në të gjitha aspektet dhe natyrisht i takon parlamentit dhe shumicës që vjen ta miratojë, por ligji ka shkallën më të lartë të ekspertizës. E vetmja gjë është se të gjitha vendimet e marra për përjashtimet e makinerive për prodhim, përjashtimet e të gjitha llojeve të materialeve që përdoren për prodhim nga TVSH-ja duhet të pasqyrohen para se ky të shkojë në parlament. Pastaj shumica e ardhshme mund ta bëjë, por ne duhet ta çojmë në përputhje të plotë me qëndrimet që kemi mbajtur”- u shpreh kryeministri. Një tjetër vendimi i rëndësishëm sipas kryeministri Berisha është edhe vendimi “Për shpronësimet, për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i linjave 110 KV dhe 220 KV që lidhin kaskadën e Devollit me sistemin e transmetimit të Republikës së Shqipërisë”. Kryeministri Berisha theksoi se ky projekt është edhe investimi më i madh privat në historinë e Shqipërisë, investimi më i madh në energjetike në historinë e Shqipërisë.
“Faktikisht ky projekt që është edhe investimi më i madh privat në historinë e Shqipërisë, investimi më i madh në energjetike në historinë e Shqipërisë, po ecën. Para pak ditësh u njoftua se “Statkraft” hidro- poëer, porosit tek kompania “Alstom” 6 turbinat e hidrocentraleve në një shumë 100 milion euro. Një nga luginat dhe një nga zonat më të thella, më të largëta dhe më të heshtura të vendit do të shndërrohet në një nga zonat me gjallërinë më të madhe të vendit, pasi nga Moglica në Banjë e gjithë kjo zonë do të jetë zonë ndërtimesh, tunelesh, digash të paimagjinueshme. Me një efekt shumë pozitiv në ekonominë shqiptare, ku punësohen mijëra e mijëra vete, në qarkun e Elbasanit dhe rrethin e Gramshit, nga qarqet dhe rrethet me krah pune më të lirë. Në furnizimi me energji të Shqipërisë, prodhon rreth 15 përqind apo më shumë të nevojave energjetike të vendit. Pra dora dorës, Shqipëri shkon drejt një vendi eksportues i rëndësishëm i energjisë në Rajon. Kjo energji është dhe energjia më e leverdishme, në kosto më të ulët dhe në këtë mënyrë pasuritë ujore të vendit marrin vlera të mëdha si burime të fuqishme energjetike”, u shpreh kryeministri Berisha.