E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Lista e kandidatëve të PS me dosje në SPAK

TIRANË, 15 mars/ATSH Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale ku foli për listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e përgjithshme në 11 maj.

Berisha tha se “PD paraqet para shqiptarëve kandidaturat më përfaqësuese që ajo ka paraqitur në tërë ekzistencën e saj. Kandidatura që kanë një karrierë politike të gjatë dhe kanë qëndruar në pushtet si shërbëtorë të qytetarëve”.

Duke iu referuar listës së kandidatëve të PS-së, Berisha tha se “grupi i parë i listës së Edi Ramës janë që të gjithë me dosje të rënda SPAK-u”. “Këta vijnë e shkojnë. Marrin një mandat, rrinë 4 vjet, vazhdojnë punën e tyre dhe merr një grup turistësh tjerë, i sjell, i merr dhe këta i quan fasada, i quan meremetim, këta i quan ripërtëritje”, u shpreh Berisha.

Më tej, Kreu i PD-së tha se “ne do bëjmë të gjitha përpjekjet për mbrojtjen e votës. Shkojmë në këto zgjedhje pasi tre rezoluta ndërkombëtare, të firmosura së bashku nga 193 parti politike të planetit kanë damkosur zgjedhjet e Ramës si një farsë elektorale”.

Berisha pohoi se i garanton shqiptarët që do bëjnë çdo përpjekje për të numëruar çdo votë të tyre dhe për të firmosur më 11 maj fitoren e opozitës.

“11 maji do të jetë një fitore e thellë e koalicionit për Shqipërinë Madhështore. Janë disa faktorë përcaktues, themelorë të kësaj fitoreje. Së pari, programi më i miri që është paraqitur para shqiptarëve dhe i hartuar me ekspertizën ndërkombëtare më të Heritage Foundation dhe Adenauer Schuman. Së dyti, koalicioni më i gjerë në histori. Aleatët tanë të marrë së bashku pa PD përfaqësojnë 26% të zgjedhësve të Shqipërisë me vota, sipas librave elektoralë”, theksoi kreu i PD-së.

Së treti, vijoi ai, faktori diasporë. “E kam shpallur dhe e shpall përsëri vitin 2025 viti i diasporës. Shqiptarët kanë konstatuar se diaspora është me PD dhe Aleancën për Shqipërinë Madhështore.

Duk u ndalur te programi i PD-së, Berisha tha se ai ka për objektiv më madhor ‘Made in Albania’, prodhimin industrial në të gjitha llojet e industrisë, të lehtë, të rëndë etj.

“Unë ju garantoj se do të bëhet gjithçka që Shqipëria të shndërrohet në një prodhues të fuqishëm, eksportues të fuqishëm. Krijimi i zonave të lira ekonomike, krijimi i zonave industriale, kuadri fiskal më i favorshmi në Europë, energjia me çmimin më të leverdisshëm, me një çmim tre herë më të ulët se sa sot për bizneset, janë disa nga kushtet që do ta bëjnë Shqipërinë vendin më tërheqës në rajon për të investuar në uzina dhe fabrika, të industrisë së lehtë dhe të rëndë”, nënvizoi Berisha.

Ai shtoi se do të bëjnë gjithçka që prodhimet minerale shqiptare, të marrin përpunimin më të thellë se të eksportohen si mallra përfundimtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›