Rama me kandidatët e Tiranës: Xhamia e Namazgjasë nuk mund të ishte shtesë pallati apo supermarketi

TIRANË, 15 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste vijoi sot me prezantimin e kandidatëve të radhës për listën e deputetëve të Tiranës në zgjedhjet e 11 majit, mes tyre Edlira Dyrmishaj, Florian Pullazi dhe Glindxhet Madhi.
Kandidatja Edlira Dyrmishaj tha se nuk e priste që të konfirmohej në listat e PS për këto zgjedhje, pasi gjithçka i erdhi surprizë dhe ju desh të anulonte një takim të planifikuar familjar në 12 mars. Në diskutimin me kryeministrin Rama, ajo preku edhe ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë.
“Xhaminë e Namazgjasë e bëri Partia Demokratike? Është më e thellë se kaq apo jo?”, tha Rama.
“Unë kam qenë kur e ka inauguruar dhe Partia Demokratike. Të rrimë shtrembër të flasim drejtë. Pyetja ishte, a është politike kjo xhami? Unë them që politike ishte vonesa e hapjes dhe merita i takon Kryeministrit. Nuk kisha qëllim të hedh një ‘shashkë’”, vijoi Dyrmishaj.
Kryeministri i kujtoi faktin se “këtu ne me politikë merremi”.
“Po flasim për fakte, sipas meje Namazgjaja u bë mjet këmbimi. U dha Namazgjaja për xhami dhe u kërkua të bëhej pallat dhe supermarket bashkë me xhami. Jo një xhami në kushtet që është sot. Dhe dihet se kush do bënte pallatin dhe supermarketin dhe kush do bënte xhaminë. Xhamia ishte e bllokuar. Fati e desh që në atë kohë. Dhe u dha Namazgjaja si reagim ndaj ndërtimit të xhamisë te Pallati i Kulturës që ishte një superprojekt dhe aty u këput filmi PD-së se aty iku në opozitë. Kur kam ardhur unë, kam thënë ky projekt nuk bëhet dhe kjo do të jetë vetëm xhami. Jo e afaristëve dhe e komunitetit. Xhamia nuk mund të jetë si shtesë dhe supermarket. Këtë i kam thënë dhe Kryeministrit të Turqisë”, pohoi Rama.
Kandidati tjetër, Glindxhet Madhi u shpreh se prej vitesh është aktivist në Tiranë me të rinjtë e PS i angazhuar në kauza rinore në shoqërinë civile. “Vi nga një familje jo tradicionalisht e majtë, jam banor i njësisë 10, njëherë kam votuar për të ndjerin Gert Bogdani. Jam rritur nga dy prindër punëtorë, babai im veteriner, në vitet e demokracisë ka punuar edhe në ndërtim, sot është bletërritës. Mamaja është kujdesur për rritjen time dhe dy motrave më të mëdha.
Në fillim ndoqa studime në piano dhe kurs aktrimi ku dështova me sukses, dhe më pas e gjeta veten në politikë. Kam punuar si specialist në disa organizata, sot kam ARB time. Angazhimi politik ka qenë misioni që më ka tërhequr më shumë dhe kjo mundësi për të qenë në garë e vlerësoj shumë”, tha ai.
Kandidati tjetër, Florian Pullazi preku rrugëtimin e tij, nga jetesa si një djalë tipik tirans, më pas shkollimi dhe angazhimi në administratën publike. “Jam tirons, djalë i rrugës së Elbasanit me pus e carac. Një njëri që do të kontribuojë për mirë, në komunitet. Im atë ka punuar linjat e autobusit. Kam kontribut politik, administrativ, jam marrë edhe me biznes privat, kam një master në teknologji ushqimore dhe një tjetër në shkenca politike, gjithmonë kërkues te vetja”, pohoi Pullazi.
/a.f/