E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Lufta kundër korrupsionit do të fitohet kur të përjashtojmë subjektivizmin dhe vullnetin jo të mirë njerëzor

Kryeministri Berisha theksoi të premten, në përurimin e sallës së provimit të patentave, si dhe implementimin për herë të parë në Shqipëri të programit informatik për testimin e kandidatëve për drejtues automjetesh, në Shkozet, se "lufta kundër korrupsionit do të fitohet kur të përjashtojmë subjektivizmin dhe vullnetin jo të mirë njerëzor”. Zyra e shtypit e kryeministrisë bëri të ditur sot se Kryeministri Berisha përgëzoi drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor për këtë arritje shumë të rëndësishme në modernizimin e vlerësimit të kandidatëve për marrjen e lejes së drejtimit të automjetit, si dhe u shpreh se kjo është një praktikë shumë e rëndësishme për luftën kundër korrupsionit. Kryeministri Berisha siguroi qytetarët shqiptarë se “me mandatin e ri, energjitë dhe vendosmëria ime janë të shumëfishuara për të luftuar me vendosmërinë më absolute korrupsionin, këtë të keqe të madhe, këtë kancer, i cili dominohet vetëm me një luftë të vazhdueshme, konstante dhe të pandërprerë, me reformat më serioze dhe ndëshkimet më shembullore”. 

"Unë ju përgëzoj për këtë arritje shumë të rëndësishme në modernizimin e vlerësimit, por njëkohësisht shumë të rëndësishme edhe në luftën kundër korrupsionit", tha Kreu i Ekzekutivit shqiptar, duke shtuar se "lufta kundër korrupsionit do të fitohet kur në çdo hap ne të arrijmë standarde si ky, kur ne të përjashtojmë subjektivizmin apo vullnetin jo të mirë njerëzor, kur të përjashtojmë ndikimin e babëzisë së njeriut dhe për këtë ju përgëzoj". Kryeministri Berisha kërkoi që kjo praktikë të shtrihet edhe në provime të tjera, në çështje të tjera, jo vetëm të kësaj Drejtorie, por në të gjithë sistemin arsimor.

"E realizuam për pranimet në universitetet dhe zhdukëm panairin e turpshëm të pazareve për pranimet në universitete. Duhet të synojmë edhe provimet në universitete, duhet të synojmë edhe provimet pasuniversitare, sepse këto janë praktikat më transparente, më të drejta, më të ndershme dhe që përjashtojnë abuzivitetin", tha Kryeministri Berisha. Kryeministri Berisha bëri të ditur se tre ditë më parë, së bashku me ministrin Olldashi, po shihnin objektet e reja të infrastrukturës që duhet të fillojnë punimet. "Ishte pozitive se në garë për ndërtimin e tyre, gjithnjë me prokurim elektronik, kishte pjesëmarrje absolutisht pesëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë kompani", nënvizoi Kreu i Qeverisë, duke shtuar se "nuk them se gjithçka është në përsosje absolute, por them se po ecet drejt një përsosje të atillë, që vërtet të shndërrohemi në një nga vendet me nivele të ulëta korrupsioni, të luftojmë dhe të arrijmë standardet që kanë vendosur njëzet vendet e para në luftën kundër tij”. Kryeministri Berisha shoqërohej në këtë ceremoni nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, nga përfaqësues  të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, deputetë të qarkut të Durrësit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›