Berisha: Mbështesim dënimin e Veliajt, por procedurat duhen respektuar

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot ndaj seancës publike të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e cilësuar një nga rastet më skandaloze të shkeljes së ligjit.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha theksoi se edhe pse opozita mbështet arrestimin, hetimin dhe dënimin e Veliajt, “në një vend demokratik procedura është themelore, është garancia e të drejtave të njeriut dhe e shtetit ligjor”.
Berisha përgëzoi këshilltarët e PD-së në këshillin bashkiak të Tiranës që kërkuan që Veliaj të dëgjohej në sallë, duke theksuar se “edhe kur përballë ke një armik politik, drejtësia duhet të respektojë procedurat”.
Sipas Berishës, “Rama ka hequr dorë nga mbrojtja e Veliajt dhe se kjo tregon se brenda mazhorancës ka një përçarje të thellë”.
Kryetari i PD-së e akuzoi Ramën se po mbron bizneset dhe njerëzit e familjes së tij.
/m.m/a.f/r.e/