Politika reagon për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Zyrtarë të lartë, politikanë dhe personalitete nga fusha të ndryshme shprehën sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Partisë Socialiste dhe ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili u nda sot nga jeta në moshën 73-vjeçare.
Balluku: Kryeministri reformator që besoi në rrugën europiane të Shqipërisë
Zv/kryeministrja dhe ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku reagoi sot për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano.
Balluku u shpreh se, Nano ishte arkitekti i transformimit të së majtës shqiptare.
“Lamtumirë Fatos Nano. Arkitekti i transformimit të së majtës shqiptare dhe Kryeministri reformator që besoi në rrugën europiane të Shqipërisë duke lënë gjurmë të thella në politikën dhe historinë e vendit. I paharruar!”, shkroi Balluku në një postim në rrjetet sociale.
Spiropali: Njohja e rrënjëve garanton të ardhmen
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali reagoi sot për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano
Spiropali u shpreh se, vetëm njohja e rrënjëve dhe nderimi i tyre stabilizon të tashmen dhe garanton të ardhmen.
“Pusho në Paqe, Kryetar! Vetëm njohja e rrënjëve dhe nderimi i tyre stabilizon të tashmen dhe garanton të ardhmen. Lamtumirë”, shkroi Spiropali në rrjetet sociale.
Balla: Modernizoi PS-në dhe Shqipërinë
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla vlerësoi kontributin vendimtar të Fatos Nanos për 14 vite me radhë kur Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment nga graviteti i interesit kombëtar.
Balla theksoi se Fatos Nano modernizoi Shqipërinë, duke modernizuar partinë.
“Sot e humbëm kryetarin Nano. Do ta kujtojmë gjithmonë udhëheqësin e parë të Partisë Socialiste Fatos Nano për kontributin vendimtar në 14 vite me radhë kur Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment nga graviteti i interesit kombëtar, çka u skalit si një vijë sjelljeje e palëkundur e partisë sonë, duke e bërë unikale mes partive politike në Shqipëri. Faleminderit për mundësinë që më dhe të mësoj shumë prej teje! U prehsh në paqe shef!”, shkruan Balla.
Gonxhja: Vendi humbi një vlerë të inteligjencës kombëtare
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja u shpreh sot se lajmi i ndarjes së Fatos Nanos nga jeta e ktheu në kohët kur luftonim për ngritjen e institucioneve të rrënuara dhe konsolidimin e asaj që quajmë demokraci. “E pavarësisht pozicioneve, herë asimetrike, ai të bënte të ndjeheshe kontribues i rëndësishëm; ndër aftësitë e tij kryesore”, u shpreh Gonxhja ndërsa shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit dhe ish-kreut të PS-së, Fatos Nano. “Humbëm sot, vendi humbi, një vlerë të inteligjencës kombëtare, shpesh i paparashikueshëm, por gjithmonë i pranishëm me mendje dhe sy përtej asaj që dukej. Me të ndaheshe, por nuk krijoje mëri kurrë, ndërsa mbetej leksioni i tij i tolerancës, përfshirjes dhe zgjuarsisë për të bërë hapin prapa me qëllim kërcimin para, si atletët e mëdhenj”, u shpreh Gonxhja. “Ngushëllime familjes private e asaj socialiste. U prehtë në paqe!”, përfundoi ministri Gonxhja.Kumbaro: Nano, arkitekti i së majtës shqiptare
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro vlerësoi sot figurën e Fatos Nanos, ish-kryeministër dhe ish-kryetar i Partisë Socialiste I cili ndërroi jetë në moshën 73-vjeçare.
“Lamtumirë Kryetari Fatos Nano, themeluesi dhe arkitekti i së majtës shqiptare, që i dha Partisë Socialiste identitet, forcë dhe histori”, shkroi Kumbaro në rrjetet sociale.
Manastirliu: Lideri që themeloi dhe drejtoi Partinë Socialiste në kohëra sfiduese Kandidatja e Partisë Socialiste për kreun e bashkisë Tiranë, Ogerta Manastirliu vlerësoi se Fatos Nano është lideri që themeloi dhe drejtoi Partinë Socialiste në kohëra sfiduese për vendin dhe la gjurmë të pashlyeshme në politikën shqiptare. “U prehsh në paqe Kryetar! E trishtuar për ndarjen nga jeta të udhëheqësit historik të socialistëve shqiptarë, Fatos Nano. Ngushëllime familjes, të afërmve dhe familjes sonë të madhe socialiste”, u shpreh ajo.(vijon…)
/r.e/a.f/