Berisha: Mbështesim opozitën iraniane në përmbysjen e diktaturës

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi sot, gjatë konferencës për mediet, edhe zhvillimet ndërkombëtare dhe pozicionin e PD ndaj situatës në Iran.
Berisha e konsideroi vitin 2026 si “vitin e përmbysjes së diktaturave” dhe nënvizoi se liria për kombet është një sfidë globale.
Ai u shpreh se pas rasteve të diktatorëve si Maduro në Venezuelë, radhën e ka regjimi iranian i ajatollahëve, i cili sipas tij është në “grahmat e fundit”.
Kreu i PD-së theksoi se populli iranian është në këmbë për lirinë dhe dinjitetin kombëtar dhe se marshi i revolucionit nuk ndalet, pavarësisht dhunës dhe represionit nga regjimi.
“Regjimi i Iranit i ka ditët e numëruara. Liria e iranianëve ka çmimin e saj, por burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat e këtij kombi janë të gatshëm ta paguajnë atë”, u shpreh Berisha.
Berisha deklaroi mbështetjen e fuqishme të Partisë Demokratike për opozitën iraniane në betejën e saj për një Iran të lirë, demokratik dhe të pavarur.
Berisha i bëri thirrje gjithashtu ShBA që të ndihmojë popullin iranian në rrugën e çlirimit nga regjimi aktual.
“PD i bën thirrje qeverive të vendeve të lira, ShBA në radhë të parë, të ndihmojnë me të gjitha mundësitë popullin vigan iranian të çlirohet nga ky regjim obskurantist”, theksoi PD.
/gj.m/j.p/r.e/