E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Më 12 nëntor, protesta më e fuqishme që ka njohur Shqipëria

Kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha ka paralajmëruar se protesta e njoftuar prej tij më 12 nëntor, do të jetë më e fuqishmja që ka njohur Shqipëria. Gjatë mbledhjes në seli me Kryetarët e degëve të Qarkut të Tiranës, Berisha akuzoi Ramën se po bën përgatitje për të vjedhur zgjedhjet vendore të 14 majit.

“Kemi caktuar datën 12 si ditën e protestës më të fuqishme që ka njohur Shqipëria, por kjo do të jetë kohë protestash. Mos të kemi asnjë iluzion. Nuk ka votim me Edi Ramën. Ky na sfidoi haptas në Peshkopi. Do ta bëjmë cunam. Në vend që si kriminel elektoral të ishte në burg, zotohet se prap do të na i prekë votat”, tha Berisha.

Teksa Partia Socialiste ka deklaruar se në Kuvend nuk do të kalojë asnjë dokument që mban firmën e Berishës, ky i fundit e konsideroi parlamentin “fiktiv” dhe se po funksionon pa asnjë ligj e rregull.

“Ky e ka shndërruar në fiktiv pluralizmin, në fiktive PD-në, në fiktiv parlamentin. Ju nuk mund imagjinoni se çfarë klubi i neveritshëm është parlamenti shqiptar. Ju nuk mund të imagjinoni se si funksionon pa asnjë ligj e rregull. Ne shkojmë aty për hir të zgjedhësve, por aty është turp të futesh. Nuk respektojnë asgjë. Sillen si rrugeçër, si me procedurat dhe fjalorin. Ne shkojmë aty vetëm për zgjedhësit, qytetarët, me vështirësira të jashtëzakonshme. Ne dorëzojmë ligje dhe aty sikur nuk është parlament, por sikur është një klub i PS-së, parti krimi dhe droge. Kjo është e vërteta. Kemi paraqitur ligjin e lustracionit. Nuk e paraqesin, sepse votojnë amendamentin e Taulant Ballës, i cili defakto i mbyll dosjet dhe nuk i hap. Nuk i hap dosjet, sepse thotë se kërkesa që të jepen dokumentet duhet të jetë në proporcion me interesin, që e përcakton Edi Rama. Kemi dorëzuar rezolutën prej 3 muajsh, sikur nuk jemi deputet, rezolutën për gjenocidin në Kosovë”, u shpreh Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›