E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Reforma Territoriale, “Rithemelimi” i PD-së: PS po mban qëndrim denigrues!

Reforma Territoriale vijon të jetë objekt debati mes pozitës dhe opozitës, në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023. “Rithemelimi” i PD-së akuzoi sot socialistët se po mbajnë një qëndrim denigrues ndaj nismave të PD-së, për ndryshimet në  hartën territoriale.

Sekretari për Pushtetin Vendor, Ylli Asllani, deklaroi se angazhimi i PD-së në përgatitjen e një projektligji për përmirësimin e Reformës Administrative Territorial, u krye jo si qëllim politik në vetvete, por në respekt të pritshmërive të qytetarëve për të ndryshuar katastrofën që shkaktoi ndarja territoriale e vitit 2014.

“Qëndrimi denigrues i PS-së ndaj përpjekjeve të PD për përmirësimin e hartës territoriale, nëpërmjet Taulant Ballës, ishte shprehje e përbuzjes së Rilindjes ndaj interesave jetike të qytetarëve. Partia Demokratike është e vetëdijshme për falsitetin dhe kulisat paraelektorale të Edi Ramës, e vetëdijshme se ajo do ta rrëzonte propozimin tonë. Kjo dijeni nuk na pengoi dhe nuk do të na pengojë për të paraqitur alternativën tonë.”,- tha Asllani.

Sipas tij, në prag të fushatës për zgjedhjet vendore, PD ofroi një alternativë në interes të shërbimit publik, zhvillimit rajonal dhe të vendit.

“Reforma e PS ka rënë pikërisht në katër shtyllat kryesore mbi të cilat u ngrit: 1. Dështoi në rritjen e eficiencës ekonomike të njësive të reja; 2. Solli centralizim të pushtetit të kryebashkiakëve duke shkatëruar decentralizimin dhe forcimin e vetëqeverisjes vendore; 3. Goditi përfaqësimin e qytetarëve në bashkëqeverisje, demokracinë vendore dhe llogaridhënien; 4. Dështoi në nxitjen e zhvillimit ekonomiko- social dhe zbutjen e varfërisë.

 Pasojat:

  • Shpopullim masiv i territorit të vendit
  • Kolaps dhe falimentim i bashkive.
  • Shembja e demokracisë vendore, llogaridhënies dhe rilindja e korrupsionit masiv
  • Shërbime publike të pambuluara financiarisht e larg qytetarit dhe kërkesave të komunitetit.
  • Falimentime të Shërbimit të ujësjellësve dhe kanalizimeve.
  • Korrupsion masiv në menaxhimin e mbetjeve të ngurta dhe ato urbane
  • Dorëzimin para rreziqeve të zjarreve dhe përmbytjeve.
  • Falimentimi i fermerëve dhe aktiviteteve agroindustrial.

Sa kohë kjo ndarje administrative vazhdon, pasojat i vuajnë qytetarët”,- deklaroi Asllani.

/rtsh.al/

 

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›