Berisha: Më 8 maj do t’i japim qeverisë mësimin që meriton

TIRANË, 27 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Foltoren e mbajtur sot para Kryeministrisë, akuzoi kryeministrin Edi Rama për keqqeverisje, korrupsion dhe përkeqësim të gjendjes ekonomike në vend.
Berisha deklaroi se vendi po përballet me rritje të kostos së jetesës, paga të ulëta dhe emigrim të lartë, duke shtuar se qytetarët shqiptarë, sipas tij, detyrohen të blejnë produkte në vendet fqinje për shkak të çmimeve më të larta në Shqipëri.
Në fjalën e tij, ai kritikoi gjithashtu politikën e jashtme të qeverisë, veçanërisht në raport me Kosovën dhe nismat rajonale, duke e akuzuar kryeministrin për qëndrime që, sipas tij, dëmtojnë interesat kombëtare.
Berisha bëri thirrje për mobilizim qytetar dhe theksoi se prioritet i Partisë Demokratike është garantimi i votës së lirë dhe ndryshimi i qeverisjes.
Ai informoi se protesta e paralajmëruar për datën 8 maj do të jetë një moment i rëndësishëm për opozitën.
Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për lidhje me korrupsionin dhe krimin, duke theksuar se opozita do të vijojë betejën e saj politike për ndryshim të pushtetit dhe rikthim të “dinjitetit të qytetarëve”.
“Ne kemi një program, së pari t’u kthejmë dinjitetin shqiptarëve, të votojnë si qytetarë të lirë. Askush më mirë se ne, që kemi vuajtur diktaturën më të egër nuk e di se gjithçka fillon me votën e lirë. Dhe ne, të gjithë sa jemi këtu, mijëra e mijëra të tjerë, të bashkohemi si luftëtarë të votës së lirë, si misionarë të votës së lire”, deklaroi Berisha.
/j.p/r.e/