E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama mbledh grupin dhe qeverinë, diskutohet turi “Punët për Shqipërinë” dhe procesi i integrimit

Kryeministri Edi Rama e nisi javën me një mbledhje të zgjeruar me grupin e deputetëve të Partisë Socialiste si dhe kabinetin qeveritar.

Takimi i zhvilluar në Pallatin e Brigadave, kishte në fokus turin “Punët për Shqipërinë” si dhe procesin e integrimit.

Për rreth dy orë, drejtuesit e qarqeve raportuan mbi çështjet dhe problematikat e dhëna nga qytetarët në zonat e tyre përkatëse, si dhe për diskutimet që kanë patur me mbështetësit e partisë socialiste.

Më tej, mbledhja e fokusua tek procesi i integrimit. Kryenegociatorja Majlinda Dhuka së bashku me Ministrin e jashtëm Ferit Hoxha, dhanë detaje sa i përket ecurisë së negociatave të anëtarësimit në union.

Porosia kryesore ishte miratimi i ligjeve që janë në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Kryeministri Rama ishte i fundit që mbajti fjalën, e cila zgjati rreth një orë.

Mbledhjet e zgjeruara mes grupit parlamentar dhe qeverisë tashmë po zhvillohen rregullisht çdo muaj dhe ato shqyrtojnë progresin e shënuar në nisma të ndryshme të mazhorancës, e veçanërisht ecurinë e integrimit europian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›