E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Me Kosovën marrëdhëniet më të ngushta

Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, Kreu i Qeverisë informoi mbi vizitën e tij dyditore në Kosovë, si dhe mbi projektet e mëdha infrastrukturore që do të ndërmarrë qeveria shqiptare për të forcuar lidhjet mes dy vendeve.

 "Kësaj here mu krijua përshtypja sikur po udhëtoja në mrekullinë shqiptare, pasi gjeta në Kosovë vlerat e mëdha të krijuara nga kombi shqiptar dhe shtyllat solide për të ardhmen e Kosovës, të cilat janë vendosur në një kohë të shkurtër 20 mujore", tha Kryeministri Berisha.

Duke informuar mbi takimet intensive me autoritetet më të larta të Kosovës, Kryeministri Sali Berisha vuri në dukje se "me Kryeministrin HashimThaçi u ra dakord për intesifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Kosovës". "Ne nënshkruam marrëveshje shumë të rëndësishme për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, luftën kundër kriminalitetit dhe marrëveshje të tjera, si dhe ramë dakord që të punojmë intesivisht për finalizimin e një kuadri ligjor bashkëpunimi më të gjerë dhe të standardeve më të mira europiane", tha Kryeministri Berisha.

Duke siguruar se bashkëpunimi do të shtrihet në të gjitha fushat, Kryeministri u shpreh se Kosova është një vend në ndërtim, me një gjallëri të pamohueshme me një dinamizëm ekonomik, por për fat të keq eshtë e bllokuar në krahun verior të saj, sepse nuk zbatohet marrëveshja e tregëtisë së lirë". Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se "autostrada Durrës-Kukës-Morinë ka dhënë një frymëmarrje të madhe në fushën e transportit, por është e nevojshme që të përzgjidhet menjëherë një kompani konsulence për të bërë fizibilitetin për hekurudhën që do të lidh Shqipërinë me Kosovën".

 "Ne kemi segmentin hekurudhor me Malin e Zi dhe do të plotësojmë edhe kilometrat e mbetura me Maqedoninë, por lidhja hekurudhore me Kosovën ka një rëndësi të jashtëzakonshme, veçanërisht pas ndërtimit të portit të Vlorës, i cili për efiçensën e tij kërkon lidhjet më të fuqishme me rajonin", tha Kryeministri Berisha. "Nuk mund të themi se do të fillojë ndërtimi i kësaj hekurudhe gjatë këtij mandati, pasi buxheti për projektet është përcaktuar, por le të jetë gati projekti për mandatin tjetër. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që të fillojë ndërtimi kur të bëhet projekti, sepse mund të kemi ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, si një projekt rajonal mjaft i rëndësishëm", tha Kryeministri Berisha.

Porti i Vlorës, tha Kryeministri Berisha "do të jetë porti më i madh i kontenierëve në Mesdhe dhe kjo gjë kushtëzon forcimin e transportit hekurudhor". "Në këtë kontekst edhe linja hekurudhore Tiranë-Vlorë duhet të ristrukturohet në funksion të portit të Vlorës", tha Kryeministri Berisha. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili e nderoi me medaljen e lirisë. "Unë isha në Prekaz, ku vizitova familjen Jashari. Nuk ka një familje tjetër në kombin shqiptar që të jetë flijuar me 53 anëtarë të tjerë të familjes si Adem Jashari, duke u shndërruar në legjendë frymëzimi, në një kohë kur pak veta mendonin se ajo luftë do të sillte rezultatet që solli", vijoi Kryeministri Berisha.

 "Vlera të jashtëzakonshme lirie janë krijuar në Kosovë, tha Kryeministri Berisha duke siguruar se "Shqipëria do të ndihmojë me të gjitha mundësitë e saj për promovimin dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës". Për sa i përket standardeve që po krijohen në Kosovë për liritë dhe drejtat e minoriteteve, Kryeministri Berisha vlerësoi se "ato janë standardet më të mira të vendosura në rajon dhe në Europë që kanë bërë të ulen shumë tensionet ndëretnike dhe të kthehen të shpërngulurit me besim për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Kosovë".

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›