Berisha: Me bllokimin e statusit, Rama kërkon të shkelmojë ëndrrën e të rinjve
Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje sot kreut të opozitës, Edi Rama që të mos shkelmojë ëndrrën e të rinjve për integrimin evropian. Gjatë përurimit të gjimnazit “Hydajet Lezha” kryeministri akuzoi sërish Ramën se kërkon të bëjë pazare për Fierin në kërkim të statusit, ndërsa i bëri thirrje që mos ta bllokojë atë.
“Ju bëjmë thirrje që të mos harroni momentin e heqjes së vizave, pasi në atë periudhë kreu i opozitës mori një kuti nën sqetull që të bënte pazare për tu liruar vizat. Vizat nuk kërkonin 3/ 5 dhe ai si bllokonte dot ashtu si nuk do mund të bllokojë statusin”- theksoi Berisha.
Ndërsa i është referuar qëndrimit të opozitës për mosshqyrtimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, kryeministri Berisha shtoi se kreu i PS-së urdhëron deputetët e tij të mos miratojnë ligjet pasi kërkon të bëjë pazare për qarkun e Fierit.
“Rama do të bëjë pazare duke kërkuar Fierin në këmbim të statusit. Une i bëj thirrje që të mos ju bllokojë ju të rinjve që doni të ecni në rrugën europiane”- shtoi më tej Berisha.
Kryeministri ka theksuar më tej se ndërtimi i gjimnazit “Hydajet Lezha”, është i standarteve europiane ndërsa premtoi se qeveria do të vijojë me ndërtimin e shkollave në të gjithë vendin duke pasur si prioritet arsimin. Gjimnazi i ri që u përurua sot në Lezhë u ndërtua falë një investimi prej 1.5 milionë dollarë dhe me një kapacitet prej 1200 nxënësish.
...