Koha e pazareve në politikë ka kaluar, Rama s’mbijeton dot me shantazhe
Kreu i qeverisë akuzon opozitën dhe lidershipin e saj se, po përpiqet të mbijetojë politikisht përmes pengmarrjes së procesit të integrimit. Kërkesat për pazare haxhiqamiliste, në versionin e Libofshës a Qarkut të Fierit, s’mund të bllokojnë konstituimin e KQZ-së e as të japin pushtet në tavolinë, pasi në një sistem demokratik, pushteti vjen veç përmes votës
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha deklaroi se lidershipi socialist, Edi Rama është duke përgatitur një tjetër ngërç, atë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke mos hequr dorë nga pazaret politike. Për kryeministrin Berisha, është Partia Socialiste ajo që po përgatit pazarin e radhës duke luajtur me standarde të dyfishta në procesin e zgjedhjes së anëtarëve dhe të kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sikundër bëri me dije kryeministri, socialistët kërkojnë seancë dëgjimore me kandidatët për kryetar, kur refuzuan kërkesën e demokratëve që e njëjta praktikë parlamentare te ndiqej edhe me zgjedhjen e anëtarëve.
Shefi i ekzekutivit theksoi se “politika nuk është art i pazareve”, ndërsa ftoi Ramën që të mbajë një standard dhe jo dy. “Problemi është shumë serioz, pasi ky zotëri, nga mëngjesi deri në darkë, nuk mendon asgjë tjetër, veçse pazare, pazare, pazare. Politika është parim dhe nuk mund të jesh dot shtetar me pazare. Mund të ndodhë ndonjëherë që të blesh lirë, por të kushton sa frëngu pulën. Ruhu nga pazaret, mos krijo përshtypjen tek mbështetësit e tu dhe qytetarët, se ti vdes për pazare me Sali Berishën. Kjo të dëmton. Sot, opozita kërkon hearing (seancë dëgjimore) për kandidaturat, për kryetar të KQZ. Një e drejtë e plotë e tyre, por jo me dy standarde. Ata kërkojnë hearing për kryetar të KQZ dhe nuk pranojnë hearing për kandidaturat për anëtar të komisionit. A ka më absurde! Nëse do që të ushtrosh të drejtën e dëgjimit, nuk mund t’ia mohosh palës tjetër ta ushtrojë edhe ajo, këtë të drejtë. Nxjerr Tahirin dhe thotë se Berisha nuk po respekton, por çfarë?! Këta e konsiderojnë shumicën, si etërit e tyre kulakët. Si mund të kërkosh hearing për katër vetë dhe jo për të gjithë?! Parlamenti ka të drejtën e dëgjimit, por ata e refuzojnë këtë për të tjerët dhe e kërkojnë vetëm për këta të katër. Se këta janë të deklasuarit, sipas tyre. Tani sërish do të kërkojë pazare. Hapim kapitullin e pazareve, që, për katër të propozuarit e mazhorancës, të ketë dëgjim dhe për të opozitës të mos ketë dëgjim, sepse është bërë dëgjimi në selinë e partisë. Por parlamenti nuk është seli partie. Parlamenti është tempulli i popullit. Uroj dhe i bëj thirrje zotit Rama, po të dojë le të futen të gjithë në procesin e dëgjimit. Parlamenti ka organizuar seanca dëgjimi nga më të bukurat, nga më të shkëlqyerat dhe le t’i organizojë sërish, sepse nuk mund të lejojmë dy standarde. Dy standarde janë fyese! Ne nuk imponojmë dy standarde. Besojmë se zoti Rama do të përcaktohet për një standard. Nëse do t’i kalojë kandidaturat me hearing, në rregull, ti kalojë. Nëse do t’i kalojë pa hearing, le t’i kalojë. Ai ka zëvendësuar çdo sens ligjor, me pazaret. Ligji është kontrata, i cili bashkon të gjitha palët. Por zoti Rama merr mendjen e njerëzve, të cilët u futën në universitet dhe ngelen në vit të parë, katër vjet rresht. Edhe njëherë i bëj thirrje të heqë dorë nga mania e pazareve, e cila e ka mbërthyer dhe nuk përmbahet dot. Nuk është politika pazar! Politika është arti i parimeve, i vështirësive, kompromiseve dhe kështu do të ecë. Ne bëmë gjëra shumë të mëdha, bëmë reformën zgjedhore, imunitetin dhe tani të rrimë dhe të na shohin shqiptarët, kështu, e ka shumë gabim për veten e tij”, u shpreh Berisha.
Kryeministri kritikoi politikën bllokuese të socialistëve me qarkun e Fierit, ku sikundër vuri në dukje ai janë demokratët që zotërojnë shumicën edhe pas vendimeve të gjykatave.
“Rama ka dy javë që i nxjerr deputetët nga komisioni dhe lanë karrigen bosh dhe ankohen pse unë u them nxënësve të shkollave i ngulni sytë te ato karrige, absolutisht do ua them çdo fëmije në Shqipëri, sepse me ato karrige bosh t’i po shkelmon ëndrrën e bukur fëminore. Çfarë po u them një gjë që nuk është, nuk është propagandë, por po them një të vërtetë të hidhur që po krijon ti në parlament”, tha më tej ai.