E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Me kryetarin e ri të bashkisë, përgatisim Vlorën e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë

09-04-2011 / Gazeta 55

“Aleanca për Qytetarin” çel fushatën elektorale edhe në Vlorë, prezantohet kandidatura e Ardian Kollozit Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin” çeli dje fushatën elektorale në Vlorë, ku për bashkinë e këtij qyteti kandidon demokrati Ardian Kollozi. Përmes një mitingu madhështor dhe para mijëra qytetarëve vlonjatë, kryeministri Berisha vlerësoi figurën e kandidatit Kollozi dhe u shpreh i bindur për fitoren e madhe të 8 majit. Kreu i qeverisë solli në vëmendje se kandidati demokrat Ardian Kollozi, u përket atyre bijve të qytetit të Vlorës, që 20 vjet më parë së bashku me studentët dhe studentet e tjerë, pedagogë të Universiteteve të Tiranës themeluan Partine Demokratike, partine e parë opozitare. “Ne vijmë sot këtu pasi Vlorën e flamurit dhe të Ismail Qemalit e kemi shndërruar në Vlorën e NATO-s. Vlorën e kemi bërë qytetin e qytetarëve, që lëvizin të lirë në mbarë Europën. Ne vijmë sot tek ju për të paraqitur kandidatin për Kryetar Bashkie, birin tuaj të shquar, pasi Vlorën e bukurive mahnitëse natyror, e kemi bërë të njohur në mbarë botën, e cila ajo priti në këto katër vite, turist më shumë se të gjitha kohërat të marra së bashku. jam këtu tek ju për të paraqitur kandidatin për kryetar  të bashkisë, inxhinierin, politikanin, birin tuaj të shquar Ardian Kollozi, me të cilin mua dhe ju na lidh një përpjekje e përbashkët 20 vjeçare, për liri, për dinjitet për integrim. Ardian Kollozi, u përket atyre bijve të qytetit tuaj, që 20 vjet më parë së bashku me studentët dhe studentet  e tjerë, pedagogë të Universiteteve të Tiranës themeluan Partine Demokratike, partinë  e parë opozita. Ju përket atyre djemve të Vlorës, që 20 vjet më parë u përballën në sheshet dhe rrugët e Tiranës, Vlorës dhe mbarë Shqipërisë, për të përmbysur diktaturën më të egër, që shqiptarët kanë njohur. Drejtues i sprovuar, i talentuar,  i degës së Partisë Demokratike, Ardian Kollozi, me një thirrje të brendshme shpirtëro për Vlorën, për ju, vendosi  të japë dorëheqjen nga parlamenti dhe të vijë këtu tek ju, të punojë sëbashku me ju. Ky vendim i tij, ishte vendimi i qytetarit të Vlorës, për të cilin ju dhe çdo vlonjat e  vlonjate jeni dhe do të mbeteni të partë”- u shpreh kryeministri Berisha. Shefi i ekzekutivit tha se Partia Demokratike dhe koalicioni i saj vijnë në këto zgjedhje pasi kanë realizuar arritje të mëdha në kuadrin e reformave dhe ato të integrimit. Këtu Berisha kujtoi anëtarësimin në NATO dhe heqjen e vizave për të gjithë qytetarët shqiptarë. Sipas kryeministrit, sfida e radhës për Vlorën mbetet kthimi i saj në zonën më të bukur turistike. “Ne vijmë sot këtu tek ju, pasi Vlorën e Ismail Qemalit, Vlorën e flamurit e kemi shndërruar në Vlorën e NATO-s. Ne vijmë sot këtu tek ju, pasi Vlorën e flamurit, Vlorën e Ismail Qemalit, e kemi bërë qytetin e qytetarëve që lëvizin të lirë në mbarë Europën. Ne vijmë sot tek ju, për të paraqitur kandidatin për kryetar  bashkie, birin tuaj të shquar, pasi Vlorën e bukurive mahnitëse natyror,  e kemi bërë të njohur në  mbarë botën, sepse ajo priti në këto katër vite, turist, më shumë se të gjitha kohërat të marra së bashku. Ne paraqesim sot Ardian Kollozin para jush, pasi keni investuar vetëm në rrethin tuaj, në rrugë, në shkolla, në kanalizime, ujësjellësa, në vreshtari, ullishte, në energji, rreth 400 milion euro më shumë se në çdo kohë. Ne vijmë sot për të paraqitur para jush  Ardian Kollozin, pasi me reforma të thella me luftë pa kompromis kundër korrupsionit,  ia  kemi dalë të dyfishojmë në 4 vjet të ardhurat, kemi bërë  që  ekonomia  juaj, ekonomia  e shqiptarëve,  ekonomia shqiptare, të qëndrojë  fuqishëm ndaj krizës më të madhe që Europa dhe bota ka njohur në 90 vitet e fundit e saj. Kemi rritur rrogat dhe i kemi  dyfishuar rrogat, kemi rritur pensionet dhe i kemi dyfishuar pensionet”- vuri në dukje kryeministri duke shtuar se 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Vlora do ta festojë me Ardian Kollozin kryetar Bashkie. “Ne paraqesim sot Ardian Kollozin, sepse me Ardianin, ne duam të përgatisim Vlorën e 100 vjetorit, Vlorën e flamurit, kryeqytet i  shqiptarëve”- tha kryeministri. Duke u ndalur tek investimet kryeministri Berisha tha se në Vlorë janë investuar rreth 400 milion euro më shumë se në çdo kohë, investime këto që kanë shkuar për  rrugë, shkolla, kanalizime, ujësjellësa, vreshtari, ullishte, në energji, etj. Kryeministri Berisha ka kërkuar votën e qytetarëve vlonjatë për kandidatin e Partisë Demokratike, duke garantuar se, qeveria do të mbështesë çdo projekt të kryetarit për të ardhmen dhe zhvillimin e qytetit. “Jam sot këtu, për t’ju garantuar ju, se çdo projekt tuajin, çdo projekt të kryetarit tuaj të ardhshëm, qeveria do ta mbështesë  me përparësinë më të madhe. Kjo është alternativa jonë. Rruga jonë jeni ju, rruga jonë janë interesat tuaja, rruga jonë janë ëndrrat  tuaja, rruga jonë janë projektet tuaja, rruga jonë janë hallet tuaja, rruga jonë janë fëmijët tuaj, familjet tuaja, komunitetet tuaja, Vlora dhe mbarë  Shqipëria” - theksoi Berisha. Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se krahas alternativës për qytetin dhe qytetarët ekziston edhe një alternativë tjetër, ajo e karriges për pushtet. “Përballë kësaj është rruga tjetër e cila thotë se rruga e vetme është rruga e Partisë. Le t’i themi nga Vlora e flamurit z.Edi Rama se, rruga e vetme e jotja është rruga e karriges tënde, është rruga pa kthim, është rruga e asgjëkundit. Rruga jote është rruga e konfliktit, e bllokimit. E ndoqa dje tek u thoshte qytetarëve të Tiranës se kryetar i bashkisë nuk ishte Edi Rama, por Sali Berisha. Dua t’i them këtij zotërie se tipar themelor, dallues midis njeriut të qytetëruar dhe tjetrit është përgjegjësia qytetare, ndaj dhe zoti Rama në këtë fushatë të garantoj se nuk do merrem me ty, jo se nuk më vijnë për mbarë për ty, por e vërteta është se në skenën politike të Shqipërisë je politikani i vetëm që s’ke fituar qoftë edhe një betejë të vetme politike. Socialistë dhe socialiste të Vlorës ju shpreh nderimin tim, por iu rikujtoj se kryetari juaj nga mëngjesi deri në darkë, për betejat politike, ka humbur dhe do humbasë çdo njërën prej tyre”- tha Berisha. Kryeministri atakoi Edi Ramën duke shtuar se në krye të PS-së e solli Sali Berisha dhe Fatos Nano. “Në krye të PS nuk erdhi vetë, por e solli Fatos Nano, e solli Sali Berisha. Nisi gjatë këtyre viteve betejë pas beteje dhe në të gjitha dështoi. Por kësaj radhe, dil Edi Rama në skenën politike, ti për karrige unë për qytetarët... Aleanca jonë është për qytetarin: Vlora është e para, Shqipëria është e para”- mbylli fjalimin e tij, kryeministri i vendit Sali Berisha.   


Ardian Kollozi: Programi ynë thelbësor, në interes të qytetarëve dhe Vlorës turistike/Kandidati demokrat shpalos platformën e tij për zgjedhjet e 8 majit, duke deklaruar se zhvillimi i transportit publik, ndërtimi i Unazës së Madhe dhe të Vogël, ndërtimi i një linje tramvaji, dhe ndërtimi i hapësirave të gjelbra janë disa nga projektet që do vihen në jetë brenda një kohe të shkurtër pas marrjes së mandatit. Ai deklaroi para mijëra qytetarëve të mbledhur në pallatin e sportit se më 8 maj Vlora do njohë një dimension të ri zhvillimi, duke i thënë ‘Stop’ kështu betonizimit dhe politikave klienteliste që kanë sunduar deri më tani. “Prania juaj sot më emocionon pa masë dhe e bën të prekshme për mua miqësinë dhe mbështetjen tuaj! Shoh sot aq shumë fytyra familjare për mua, miq të prindërve të mi, miq të mitë, miq të fëmijëve të mi, të cilët më bëjnë të ndjej se sa shumë i përkas Vlorës, Vlorës së gjyshit, babait tim, Vlorës sime të dashur të së sotmes dhe të së ardhmes. Ndodhem këtu para jush si kandidat për Kryetar i Bashkisë së Vlorës, i mbushur me mirënjohje, përgjegjësi, përulësi dhe një dozë të domosdoshme shqetësimi  para një detyre të tille sfiduese: të vihem në shërbim të “së mirës sonë të përbashkët”. E mira jonë e përbashkët është ajri dhe ujërat e mrekullueshme të Vlorës, qytetarët e saj dhe kërkesat e tyre për siguri dhe cilësi jetese; për punë dhe shërbime; është mirërritja e fëmijëve tanë; perspektiva e sigurt e te rinjve dhe mbështetja për të moshuarit; e mira jonë e përbashkët është zhvillimi i qëndrueshëm i Vlorës. Duke parë me shqetësim realitetin e pamerituar të këtij qyteti unik, aq të rëndësishëm për Shqipërinë, mënyrën se si identiteti i tij aq i spikatur dhe i ndërtuar për shekuj nga puna dhe përpjekjet e gjeneratave të tëra qytetare, tenton të degradojë nën një administrim pa vizion pa imagjinatë e të pa përgjegjshëm, kam ndërmarrë përgjegjësinë e madhe dhe detyrën e vështirë por fisnike për të drejtuar Bashkinë e Vlorës. Qyteti që braktis dhe shpërfill të kaluarën e tij, që s’ka asnjë lidhje organike midis qendrës historike dhe pseudo-zhvillimit të sotëm nuk është Vlora e prindërve tanë. Qyteti që ka shpërfytyruar e betonizuar peisazhin më të bukur të botës, në emër të një përfitimi të shpejtë material, nuk është Vlora ku ne duam të jetojmë. Qyteti me ndërtesa gjigande mbi një bregdet delikat, nën pretekstin e gjoja zhvillimit të turizmit, por që duke prishur imazhin dhe ndotur mjedisin, shkatërron edhe vetë turizmin, duke u kthyer në boomerang, nuk është Vlora ku ne duam të rrisim fëmijët tanë. Një qytet që duhej të projektohej me fytyre nga deti, ku çdo ballkon, sokak e dritare e tij duhej ta shihte atë, por që gardhi i pallateve të larta ja kanë mohuar dhe fshehur me pa të drejte atë”- u shpreh Kollozi para qytetarëve vlonjatë. Duke u ndalur te platforma e tij elektorale, kandidati demokrat Ardian Kollozi deklaroi se “ne kemi ndërtuar një program ambicioz, në të cilin kemi treguar në mënyrë të detajuar objektivat që i kemi vënë vetes, edhe mënyrat se si do t’i realizojmë ato, pasi në Vlorën tonë të dashur ka shumë për të bërë”. “8 maji do të jetë fundi i zhvillimit spontan e të paparashikuar të Vlorës, e lënë në subjektivitetin e një personi dhe klientelës rreth tij, sepse ne besojmë se jemi në kohën e duhur për të ndërhyrë, megjithëse konstatojmë me dhimbje se një pjesë e dëmit që i është bërë këtij qyteti do të jetë e vështirë të riparohet. Do t’i themi stop betonizimit dhe pushtimit të hapësirave të gjelbra, plazheve, rrugëve duke i dhënë fund shpërfytyrimit të Vlorës, me një proces konsultimesh intensiv, të sinqertë, transparent me të gjithë komunitetin dhe grupet e interesit, biznesin, e duke përfshirë ekspertizën më të mirë Evropiane. Do hartojmë një masterplan ku të kemi përcaktuar në mënyrë të qartë dhe të prerë Vlorën e pas 30 vjetëve, ku zhvillimi i transportit publik do të jetë vëmendja jonë kryesore; ndërtimi i unazës së vogël e të madhe te qytetit, pajisja me një linjë tramvaji, kontaktet për të cilin janë vendosur, do të jenë projektet e menjëhershme të radhës. Këto projekte janë në përputhje me politikat tona mjedisore, pasi efekti i tyre për pakësimin e trafikut, kursimin e energjisë, mbrojtjen e ajrit së bashku me vendosjen e korsive për biçikleta dhe projektet e mëdha për gjelbërimin do të jenë hapa të sigurt drejt “qytetit të gjelbër” që ne synojmë të ndërtojmë. Rigjenerimin e sipërfaqeve urbane, ndriçimin , orientimin e lëvizjes drejt vijës bregdetare me ndërtimin e “lungomare” sidomos gjate muajve të verës, Vlora policentrike me disa sheshe, veç qendrës historike, duke stimuluar në këtë mënyrë jetën e natës, për argëtim në një qytet të sigurt. 8 maji do të jetë fundi i zhvillimit të paparashikuar të Vlorës, pasi ne mendojmë se jemi në kohë ta shpëtojmë Vlorën. Ndërtimi i Unazës së Vogël, asaj të Madhe, do të jenë ndër projektet tona kryesore, si edhe ndërtimi i një tramvaji. Rigjallërimi i qendrës historike të qytetit, rikthimi i dinjitetit të humbur “Sheshit të Flamurit” dhe rrugës muze do të jetë gjithashtu qendra e vëmendjes sonë”- u shpreh kandidati demokrat, Kollozi. Ai akuzoi drejtpërdrejt kryetarin e bashkisë së Vlorës se ka shpërdoruar fondet publike, ka ndotur qytetin si dhe mungojnë investimet në infrastrukturë në zonën kryesore turistike të vendit. “Keqpërdorimi i fondeve publike ka çuar në një gjendje të pafalshme të pastrimit të qytetit. Djegia e mbetjeve urbane prej 20 vjetësh në mes të një zone të banuar, shprehja e turpshme e thënë publikisht nga Kryetari i Bashkisë se, “erdhën plehrat te plehrat”, përtej papërgjegjshmërisë flet vetë. Indiferenca e plotë ndaj mjedisit, e cila kërkon një vizion dhe filozofi që shkon përtej mentalitetit bizantin të qeverisjes së sotme lokale të Vlorës, i ka shkaktuar qytetit një kaos, trafik dhe ndotje që cenon përditë cilësinë e jetës së banorëve të tij. Kandidati demokrat dhe i “Aleancës për Qytetarin”, Ardian Kollozi përmblodhi se programi i tij është i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë: Vlora duhet të jetë gati për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. “Në 28 Nëntor, të vitit 2012 (saktësisht 540 ditë) në 100 vjetorin e shpalljes se Pavarësisë, në ditën e krenarisë sonë kombëtare, të kemi sfiduar kohën, të kemi shndërruar Vlorën në një qytet plot dritë, gjelbërim, ngjyra e hapësirë me dinjitetin që i takon Kryeqendrës se shqiptarisë”- konkludoi kandidati demokrat, Ardian Kollozi.


Ish-futbollisti Vasil Ruci/“Jemi në një garë që do ta fitojmë, sepse kemi një kandidat i cilin ka kurajon më të madhe. Është bashkë me ju, është bashkë me të gjithë popullin e Vlorës. Ka një forcë të madhe. Ka inteligjencë dhe do të udhëheqë bashkinë bashkë me qytetarët e Vlorës. Gëzuar 8 majin me fitore”.


Artisti i popullit, Agron Dinaj/“Vlora, qyteti i historisë, i bukurisë natyrore, i kulturës dhe artit ka sot një njeri të vizioneve të reja, Ardi Kollozin. Jam i sigurt se së bashku me Ardin do t’ia ndryshojmë faqen Vlorës, në mënyrë që Vlora të bëhet ashtu siç e dëshirojmë dhe ashtu siç e dëshirojnë vlonjatët”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›