Edi Rama do fitojë pension të parakohshëm

“Aleanca për Qytetarin” çel fushatën elektorale për bashkinë e Pogradecit, kryeministri Berisha prezanton kandidatin Luan Topçiu
Berisha: Vota për “Aleanca për qytetarin” do kthejë Pogradecin në krye të destinacioneve turistike
Koalicioni “Aleanca për Qytetarin” i kryesuar nga Partia Demokratike, çeli dje pasdite fushatën elektorale në Pogradec, duke prezantuar mes mijëra simpatizantëve pogradecarë kandidatin për kryetar bashkie të qytetit të Pogradecit, studiuesin prof.dr. Luan Topçiu. Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje qytetarëve të Pogradecit që në 8 maj të votojnë Luan Topçiun për ta shndërruar Pogradecin një qytet në krye të destinacioneve turistike dhe për ta shpallur atë pasuri të mbarë botës. “Luan Topçiu, është njeriu që do të bëjë që Pogradeci i kësaj dekade të jetë një nga qendrat më të mëdha turistike të Shqipërisë”- theksoi kryeministri Berisha.
“Unë vij sot tek ju me kënaqësi të madhe, sepse viti që shkoi ishte juaji, viti i Pogradecit, viti i miqve tuaj nga mbarë bota. Pogradeci është qyteti me të cilin Shqipëria është shpallur e bukura e dheut”- tha Berisha gjatë fjalës së tij. Kryeministri premtoi se qyteti që ka në shpirt liqenin e mrekullueshëm do të bëhet një qendër e vërtetë turizmi prej investimeve të qeverisë që kanë si prioritet që Pogradeci të fitojë statusin e vendeve të preferuara turistike për thithjen e sa më shumë turistëve vendas e të huaj.
Shefi i qeverisë tha se qeveria e tij në këto vite ka investuar për Pogradecin 50 herë më shumë se në tetë vitet e mëparshëm të qeverisjes socialiste. “Kemi ndërtuar 80 km rrugë dhe zotohem se gjatë katër viteve të ardhshëm do të asfaltojmë e ndërtojmë çdo rrugë të qytetit e fshatrave tuaj. Në katër vitet që vijnë do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo shkollë në këtë vend e do të sjellim 24 orë ujë në rrethin tuaj”, garantoi kryeministri.
Kryeministri garantoi se një nga veprat e kryebashkiakut të ri të Pogradecit do të jetë shëtitorja e Tushemishtit. Ai ironizoi kundërshtarin e tij Edi Rama duke theksuar se “alternativa e rrugës së vetme, e rrugës pa kthim, është ajo që shqiptarët provuan tragjikisht për 45 vite”. Ai tha se Rama do shkojë në pension politik të parakohshëm.