E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Me premtime jorealiste, PS do ta çojë Shqipërinë në recesion

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha u takua të enjten me z. Wolfgang Grossruck, deputet i parlamentit austriak dhe President i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, si dhe me një përfaqësi të shërbimit zjarrfikës nga dy komuna të Austrisë.

Z. Grossruck e njohu kryeministrin me qëllimin e vizitës, e cila është materializimi i një angazhimi të marrë dy vite më parë për asistimin me ndihmë logjistike dhe trajnime të shërbimit zjarrfikës të disa qyteteve të Shqipërisë. Në kuadër të kësaj iniciative u janë dhuruar pajisje shërbimeve zjarrfikës së Vlorës, Shkodrës, Krujës dhe Laçit, duke ofruar edhe trajnimin e efektivave zjarrfikës të tyre.

"Ndihma me vlerë të përgjithshme 500 mijë euro, është një kontribut për modernizimin e shërbimit zjarrfikës shqiptar", tha z. Grossruck.
Kryeministri, pasi falenderoi përfaqësuesit e shërbimit zjarrfikës austriak për ndihmën bujare për një shërbim jetik siç është ai zjarrfikës, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me Austrinë, ndërsa u shpreh se shpreson që marrëdhëniet mes dy vendeve të vazhdojnë të zhvillohen intensivisht.

Më tej, Kryeministri, pasi bëri një përmbledhje të reformave themelore të ndërmarra gjatë këtyre viteve, theksoi se qeveria ka bërë të gjitha përpjekjet dhe ia ka dalë me sukses që vendi të mos binte në recesion, pavarësisht se kriza financiare europiane e botërore solli pasojat e saj.

PS, tha kryeministri, "me premtime antiglobaliste dhe jo realiste si shërbim shëndetësor falas, heqje të taksave për 95 %, legalizime falas etj, dhe me një ekip qeverisës pa eksperiencë, do ta çojë Shqipërinë në recesion, duke sjellë krizë ekonomike, papunësi e varfëri". Berisha theksoi se opozita do të jetë vigjilente e do të qëndrojë përballë tyre duke bërë një opozitë të fortë.

Z. Grossruck, nga ana e tij, shprehu vlerësime të larta për arritjet e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, ndërsa theksoi angazhimin për vazhdimin e bashkëpunimit. Ai u shpreh se shpreson që qeveria e re do t’i konsolidojë e çojë përpara këto arritje.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›