Berisha: Minimum jetik për familjarët e personave me aftësi të veçanta

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se programi i opozitës për personat me aftësi të veçanta brenda 100 ditëve të para do të sjellë një ndryshim rrënjësor.
Në një bashkëbisedim me personat me aftësi të veçanta, Berisha tha se “ju garantoj se pensionet për ju, pra ky minimum jetik do të tejkalohet sipas shkallës së aftësisë ndryshe, pa asnjë lloj hezitimi. Ju siguroj se për secilin qytetar me aftësi ndryshe, që është kryefamiljar, që mban familjen, familjarët e tij do të trajtohen me minimumin jetik”.
“Sot, qëndrimi i shoqërisë ndaj jush në një mënyrë apo një tjetër, është një lloj braktisje. Sepse, braktisje është në qoftë se ju për problemet që keni, paguheni me një shumë qesharake. Po të shohësh sot, nga 17 mijë invalidë të deklaruar në gjendje pune, janë gjithsej të punësuar 300-400 prej tyre. Në administratën shtetërore, që e ka për detyrim, nga 220 mijë punonjës, ka gjithsej 212 invalidë. Kjo është një aktakuzë shumë e rëndë për këtë administratë”, theksoi Berisha.
Kreu i PD-së vuri në dukje se në Shqipëri nuk do të ketë pension nën 200 euro.
“Mund të rrijë invalidi, personi me aftësi ndryshe me 14 mijë lekë pensioni? Kurrë nuk mund të rrijë. Ky është një cinizëm. Kjo është pashpirtësi. Dhe kjo merr fund. Dhe ua them ju këtu sot se paketa e dhembshurisë do fillojë më së pari me ju. Ajo paketë do u japë përgjigje në radhë të parë çështjeve kryesore tuajat. Në radhë të parë pensioneve dinjitoze. E kam thënë dhe e them, shteti do të përballojë të gjitha llojet e shpenzimeve që duhet të kompensoni për aftësitë ndryshe, të gjitha. Shteti do bëjë gjithçka që ju të mund të angazhoheni me aq sa e keni mundësinë, në punë. T’u lehtësojë sa më shumë ju dhe familjet tuaja”, tha Berisha.
/k.s/r.e/