E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ministrat nuk janë të zgjedhur, mund të pezullohen nga gjykata

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot kundër vendimit të qeverisë për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese, vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për të pezulluar nga detyra zëvendëskryeministren dhe njëherësh ministren për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Ballukun.

Gjatë një konference për mediet, Berisha paraqiti argumentet ligjore të cilat, sipas tij, faktojnë se qeveria përpiqet të mbrojë vjedhjet që ka bërë.

Berisha tha se funksionet ministrore janë funksione të zgjedhura me akt administrativ.

“Populli, sovran nuk ka votuar as për ministrin, as për kryeministrin, në sistemin zgjedhor të Republikës së Shqipërisë. Konkretisht, ata janë dekret të presidentit të Republikës”.

Për rrjedhojë, sipas Berishës “gjykata mund të disponojë për pezullimin e përkohshëm të tyre”.

Në rastin konkret, tha Berisha, Balluku mund të pezullohet nga detyra e zëvendëskryeministres por jo nga ajo e deputetes.

“Me rastin e deputetit, mbrojtja kufizohet tek mendimet e shprehura në Kuvend. Pra, ka të bëjë me të drejtat themelore të njeriut, të deputetit. Pra, mbrojtja kufizohet tek mendimet e shprehura në Kuvend, votat e dhëna, ushtrimin e funksionit në kolegjialitet parlamentar, pra të gjitha këto i mbron imuniteti parlamentar. Kjo mbrojtje përkthehet në mënyrë specifike nga Kushtetuta si garanci ndaj heqjes së lirisë të çfarëdo forme, kontrolli të banesës pa autorizim të parlamentit”, theksoi Berisha.

Mbrojtja e deputetit, sipas Berishës, përfshin dy kategori.

“Heqjen e lirisë në çfarëdo lloj forme pa autorizim të Kuvendit, kontrollin e banesës pa autorizim të Kuvendit, kurse funksioni i ministrit nuk është asnjëlloj e drejte themelore e njeriut. Mbrojtja quhet e plotë nëse respektohen këto dy kategori. Pra liria në çfarëdo dhe kontrolli i banesës”, detajoi Berisha.

“Por, ushtrimi i një detyre ekzekutive nuk është pjesë e funksionit normal të deputetit si një i zgjedhur me ligj elektoral, dhe për pasojë, mbrojtja nga pezullimi në detyrë nuk është përfshirë në garancitë kushtetuese”, tha Berisha.

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për mashtrim publik ndërkombëtar, duke thënë se pretendimi se në Bashkimin Evropian nuk ka raste pezullimi ministrash është i rremë. Ai përmendi edhe shembullin e ish-kryeministrit rumun Ponta, i cili dha dorëheqjen sapo iu komunikua masa e pezullimit.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›