E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Mirënjohje të përjetshme për rolin dhe kontributin e SHBA-së në pavarësinë e Kosovës

13-06-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha, i pranishëm në çeljen në Tiranë të ekspozitës “Amerika për Kosovën”

Ekspozita “Amerika për Kosovën”, u çel mbrëmë në Tiranë, nën kujdesin e kryeministrit Berisha. Kontribues në organizimin e ekspozitës janë edhe autoritetet e Republikës së Kosovës si dhe eksponentë të diasporës shqiptare në SHBA

Kryeministri Sali Berisha ishte mori pjesë dje pasdite në çeljen e ekspozitës “Amerika për Kosovën”, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.
Kjo ekspozitë, e organizuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës dhe diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që në Tiranë u çel nën kujdesin e Kryeministrit Berisha, është shprehje e mirënjohjes për rolin dhe kontributin e SHBA-së në pavarësinë e Kosovës, e evokuar përmes dokumenteve, memorandumeve apo veshjeve të personaliteteve të shquara me një kontribut të rëndësishëm në historinë e kombit shqiptar. Berisha tha se kombi shqiptar është kombi me historinë më të vështirë dhe më të dhimbshme.
“Kombi ynë ka pasur, ndofta pas kombit hebre, historinë më të vështirë, më të dhimbshme, më të mundimshme. Mbi të, ndaj tij u formuluan dhe u projektuan doktrina më çnjerëzore, të cilat si në kohërat e hershme dhe gjer në kohërat më të vonshme kishin një dhe vetëm një synim, eksterminimin e tij, zhdukjen e tij mbi bazën e faktit të njohur se historia e njerëzimit është histori e dhimbjes, lulëzimit, por edhe histori e zhdukjes së kombeve. E vërteta është se shqiptarët janë sot këtu ku janë, sepse në të gjitha kohërat, të gjitha librat e shkruar për ta kanë thënë shumë gjëra, u kanë vendosur shumë epitete, por një nuk ka munguar t’ua thonë të gjithë. Çfarë janë këta shqiptarë? Armëmbajtës. Kjo ka qenë përgjigja që i kanë dhënë pyetjes ata që na kanë dashur, por edhe ata që nuk ka kanë dashur. Edhe realiteti është se në të gjitha kohërat, shqiptarët mbijetuan e mbijetuan vetëm, së pari, si armëmbajtës. Por kohërat e reja ishin dhe kohërat më të vështira për shqiptarët. Kohëra, në të cilat u bënë dhe projektet më ogurzeza për copëtimin e shfarosjen e tyre. Këto kohëra ishin kohërat e shteteve kombe, e shembjes së perandorive, por, nga ana tjetër, edhe e shteteve komb, të cilat për interesa të kombeve të tyre nuk njihnin më asnjë parim, asnjë princip”, tha Berisha.
Kryeministri shqiptar vlerësoi se kombi shqiptar në momentet më të vështira ka patur përkrah Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne kemi pasur fat e kemi mbijetuar, sepse gjatë shekullit që shkoi, në të gjitha momentet e vështira, kritike, përcaktuese për të ardhmen e kombit kemi pasur në anën tonë, vendin e madh të lirisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jo se ne jemi një komb me kontribut të caktuar në historinë e Shteteve të Bashkuara. Jo se ne kemi pasur lidhje kaq të ngushta, të gjithanshme kulturore. Jo se ne kemi pasur në këtë vend diasporën më të fuqishme, por sepse diaspora shqiptare, e cila nuk ishte as ndër më të pasurat, as ndër më numeriket, ishte ndër më të zjarrtat e ndër më atdhetaret. Ajo ia doli që çështjet e drejta të shqiptarëve t’i paraqesë edhe në udhëheqjen kryesore, t’i bëjë çështje të mendjes e zemrës së qeverisë, Kongresit e qytetarëve të Shteteve të Bashkuara. Kjo është arsyeja se kur donin edhe njëherë, ta fshinin Shqipërinë nga harta, pasi i kishin copëtuar trojet në pesë shtete, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Ëillson, me përçmim, largoi nga tryeza Traktatin dhe nuk pranoi ta firmoste, duke bërë që shqiptarët së paku të kenë një shtet, nga i cili të mund të shohin për të ardhmen e tyre që meritojnë. Pas lufte, Shqipëria ra në diktaturën më të egër, por nuk duhet të harrojmë kurrë se ishte Presidenti Truman që përzgjodhi Shqipërinë si vendi ku duhej përmbysur diktatura komuniste dhe organizoi një përpjekje të madhe që, për arsye të njohura, nuk u kurorëzua me sukses. Dhe më pas, Shqipëria ra nën diktaturën më të egër, Kosova në një regjim aparteidi dhe segregacioni, të njëjtë me atë të Afrikës së Jugut. Sërish, vendi i madh i lirisë e shndërroi çështjen e drejtë të shqiptarëve të Kosovës në çështje të tij. Në një kohë kur Kosova ishte një provincë tërësisht e harruar për kontinentin, burri i madh i kombit amerikan, heroi i tij, senatori Bob Doll  do të vizitonte Kosovën dhe do t’i thoshte vendit të tij e botës se këtu ka një shtypje të egër, çnjerëzore dhe se kjo shtypje nuk mund të tolerohej”, tha Berisha.

Diaspora shqiptare dhe SHBA,
mbështetje të vyer Kosovës
Kryeministri Sali Berisha do të deklaronte në prani të zëvendësambasadores së SHBA-ve në Tiranë, Deborah Jones, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kishin rolin kryesor në luftën e Kosovës për mbijetesë.
Berisha tha se edhe diaspora do të ishte një faktor i madh lobimi në SHBA, për mbështetjen e popullit shqiptar të Kosovës.
“Diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara luajti një rol të jashtëzakonshëm. Ajo grupoi rreth çështjes së drejtë të shqiptarëve në Kosovë personalitetet më të shquara të Senatit, Kongresit e mediave amerikane. Fakti është se Kosova dhe qytetarët e saj çdo ditë po fitonin zemrat e mendjet e shtetarëve, ligjvënësve dhe qytetarëve amerikanë. Jugosllavia po shpërbëhej. Sërish përpjekje të mëdha për të injoruar në Traktatet e ndarjes së saj, Kosovën. Por shqiptarët kishin mendje tjetër. Përsëri armëmbajtës. Ky ishte instinkti i tyre. Ata ia dolën të organizojnë rezistencën paqësore më të shkëlqyer që Europa ka njohur ndonjëherë, por ata nisën edhe lëvizjen e armatosur, ndër më të shkëlqyerat. Lëvizje, e cila pati mbështetje të madhe, të gjithanshme njerëzore,  financiare, morale të diasporës shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të diasporës në vend të tjera. Natyrisht, për shqiptarët, kjo ishte një betejë e vështirë. Ndaj tyre, Millosheviçi kishte përgatitur spastrimin më të madh të Kosovës, shfarosjen dhe largimin e tyre nga Kosova. Por një moment kritik do të ishte kur Presidenti George Bush senior që do t’i dërgonte Sllobodan Millosheviçit të dërguarin e tij dhe do t’i thoshte se çdo lëvizje me ushtri drejt Kosovës do të jetë shi dhe breshëri raketash mbi të gjithë territorin e Serbisë dhe  instalimet ushtarake të saj, do t’i hiqte asaj vijën e kuqe. Vijë, të cilën në prag të Krishtlindjeve dhe fill mbrapa, më 20 janar, Presidenti Clinton do ta shpallte si politikë zyrtare të tij. Ky ultimatum i qeverisë së Shteteve të Bashkuara parandaloi ndërmarrjen e një fushate spastruese që Millosheviçi kishte programuar ndaj Kosovës. Më pas, djemtë e vajzat e Kosovës, shqiptarët vendosën të mos pajtohen më me pushtimin dhe nga rezistenca paqësore kaluan në rezistencë të armatosur, duke shënuar kështu një nga faqet më të ndritura të historisë kombëtare të shqiptarëve, që nga kohërat e Skënderbeut gjer më sot. Kjo luftë gjeti kuptimin më të madh, mbështetjen më të madhe nga superfuqia botërore e lirisë, Shteteve të Bashkuara. Presidenti Clinton do të angazhonte fuqinë ushtarake të vendit të tij dhe të Aleancës së Atlantikut të Veriut, do të udhëhiqte betejën ajrore për çlirimin e Kosovës. Shqiptarët kurrë nuk do të mund të harrojnë fjalimet e tij çdo ditë, që me orën tonë i takonte ora 2 e mesnatës, kur ai i shpjegonte kombit të gjitha veprimet edhe operacionet që po kryheshin në mbrojtje të qytetarëve të Kosovës. Një rol të jashtëzakonshëm luajtën këtu miqtë tanë në Senatin dhe Kongresin Amerikan, por edhe personalitete të tjera, gjenerali  Wesley Clark, Komandant i Përgjithshëm i NATO-s, ambasadori Walker, i cili masakrën e Raçakut e përcolli në mbarë botën, si një nga barbaritë e mëdha të kohës”, tha kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se sot, Kosova është e pavarur, ndërsa në themelin e pavarësisë së saj ka gjakun e bijve e bijave të saj, ka lumenjtë e gjakut dhe sakrificave të gjeneratave të tëra, të burrave dhe grave të saj që nuk u pajtuan kurrë me pushtimin barbar.
“Kosova është e lirë dhe e pavarur, sepse Presidenti i Shteteve të Bashkuara angazhoi fuqinë ushtarake të vendit të tij dhe të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Më pas, Presidenti Bush do të shndërrohej në promotorin kryesor mbi tokë të pavarësisë së Kosovës, të realizimit të ëndrrës së qytetarëve të Kosovës. Ndaj dua ta mbyll këtë fjalë, duke shprehur një bindjen time të thellë se çfarëdo që të bëjmë ne, shqiptarët, për vendin e madh të lirisë nuk do të mund të bëjmë kurrë atë që ata kanë bërë për ne. Ndaj dhe ju keni bërë një gjë shumë të madhe me këtë ekspozitë, të nderojmë ato personalitete që aq shumë ndikuan në historinë dhe jetën e kombit tonë. Ne çelim këtë ekspozitë në kuadrin e një ngjarjeje tjetër të madhe, Lidhjes së Prizrenit. Ideali i Prizrenit është ideali suprem kombëtar i çdo shqiptari, është ideali i unitetit kombëtar, ideali i lirisë kombëtare, ideali i të ardhmes europiane të shqiptarëve. Dhe kjo, që ne nderojmë Lidhjen e Prizrenit me këtë aktivitet, është një eveniment shumë i rëndësishëm. Edhe një herë dua t’ju falënderoj zoti Dedushi, të falënderojmë autoritetet e Kosovës për këtë ekspozitë të mrekullueshme që kanë sjellë dhe të shprehim nderimin më të madh ndaj miqve tanë, nderimin më të madh ndaj diasporës shqiptare”, deklaroi më tej kryeministri Sali Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›