E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shampanjë në mortin socialist

13-06-2011 / Redaksionale

Një ditëlindje pa hare mund të cilësohet 20 vjetori i Partisë Socialiste. 800 të seleksionuarit për zijafetin e organizuar trokisnin gotat me shampanjë, por kuptohej se veshët dhe mendjen i kishin drejt Kolegjit Zgjedhor, ku presin mrekullinë për t’ju larguar zisë së humbjes së bashkisë Tiranë. Kështu deputetë e ish deputetë, aleatë politikë të PS, të sapozgjedhurit e pushtetit vendor, figura të shoqërisë, zv/diplomatë të akredituar në Tiranë kanë dëgjuar fjalën e rastit të kreut të Partisë Socialiste. Lideri i opozitës nënvizoi se “Në Partinë Socialiste nuk ka munguar asnjëherë liria, kjo e bën të madhe forcën për të rezistuar ndaj çdo sulmi që i bëhet lirisë”.
Sakaq për mungesë hapësire dhe ftesash në pritjen e organizuar nga stafi i kryesisë së PS-së nuk ishte ftuar kryetari historik i Partisë Fatos Nano, i cili vuan një “damnatio memoriae”, një dënim përjashtues të emrit, të kontributit dhe të kujtesës historike. Nëse kjo nuk është një mungesë lirie, me patjetër ajo është një mosmirënjohje publike e Ramës për paraardhësi e tij, Fatos Nano, pasi ky i fundit e mori nga Parisi “me thonj të pa prerë” dhe e bëri Ministër Kulture.  Dhe nga Ministër i MTKRS-së përdore e kandidoi për kryetar Bashkie në Tiranë. Në rizgjedhjen e tij në vitin 2003, Fatos Nano pati një ndikim shpëtues, pasi Spartak Ngjela  kërkonte me të drejtën e zotit Bashkinë sepse Rama i kishte vjedhur votën. Kurse Edi Rama për mirënjohje të dukshme ndaj punës së Nanos sponsorizoi dhe mbështeti lëvizjen e rinore Mjaft dhe kryetarin e saj Erjon Velinë për të demaskuar korrupsionin e Nanos.
Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të korrikut 2005 Fatos Nano dha dorëheqjen nga Partia Socialiste, edhe pse ai ishte në gjendje të pilotonte pasardhësin, i la të lirë rrugën ngjitjes së Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste. Këtu fillon edhe sulmi i pandërprerë i Ramës ndaj Fatos Nanos. Ai e bënte këtë sepse donte të shfaroste elementin Nano-ist, pas aksidentit të zgjedhjes së presidentit Topi, kur 8 deputetët socialistë dolën nga rreshtimi dhe votuan me ndërgjegjeje kandidatin tjetër, ngase emri i Nanos për president u refuzua kategorikisht nga Edi Rama. Zgjedhjet Parlamentare të 2009 u shfrytëzua më së miri nga Rama për të larguar të gjithë mbështetësit e Nanos dhe vetë Fatos Nanon nga lista.    
Sidoqoftë përtej kësaj kronologjie mosmirënjohjesh është hera e parë që pas ndryshimit të placentës soc-komuniste, që Partia më e madhe opozitare ka festuar ditëlindjen me ankthin e pritjes së një vendimi kaq të karikuar emocionalisht, vendimin për fatin e kryetarit të saj: Kryetar bashkie dhe kryetar partie, apo vetëm krye-opozitar.
Mirëpo me 99.9 të mundësive Kolegji Zgjedhor do të rrëzojë sërish një tjetër ankesë jo ligjore të Partisë Socialiste. Shumë juristë dhe konstitucionalistë të njohur të nisur prej vendimit të prerë të Kolegjit me datë 3 qershor, thonë njëzëri se Kolegji Zgjedhor ka dhënë një vendim të formës së prerë në 3 qershor lidhur me ankimimin e Partisë Socialiste dhe si i tillë, ky institucion s’mund të japë një vendim tjetër në 13 qershor, në kundërshtim me argumentin që dha dy javë më pare. Sipas ekspertëve, në të kundërt do të ishte një nga shkeljet më të rënda ndaj Kushtetutës. Kolegji Zgjedhor nuk mund të japë vendime që bien në kundërshtim me argumentin që dha gjatë shqyrtimit të parë të ankimimit të Partisë Socialiste. Nëse do të bënte të kundërtën do të shkelë në parimet kushtetuese me të cilat argumentoi vendimin e 3 qershorit. Dhe në këto kushte është e qartë iteri ligjor, që të mbetet në fuqi vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili shpall fitues për garën e Tiranës kandidatin demokrat Lulzim Basha.
Kuptohet vetiu se ka shumë arsye që festa e 20 vjetorit të Partisë Socialiste ishte në një ton minor. Jo vetëm largimi i pashmangshëm nga karrigia e bashkisë, por edhe kllapia që ka prekur partinë është një shqetësim që vështirë se e feston. Ka prej atyre nostalgjikëve kuqalashë që festojnë 70 vjetorin sepse kjo parti ish komuniste u krijua në 8 nëntor të vitit 1941 nga Enver hoxha dhe shokët e tij që me vonë i vrau të gjithë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›