Berisha, Monti: Reformat e qeverisë, inkurajuese për marrjen e statusit kandidat

Mario Monti: Mbështetja italiane për integrimin e Shqipërisë, njësoj si me heqjen e vizave
UPDATE- Bashkëpunimi ekonomik si dhe ndihma në proceset integruese të vendit tonë në BE ishin dy nga çështjet më të rëndësishme të trajtuara në konferencën e përbashkët për shtyp mes Kryeministrit Sali Berisha dhe homologut të tij italian, Mario Monti. Në fjalën e tij, kryeministri Monti evidentoi pikërisht kooperacionin italianin për vëmendjen që i ka kushtuar Shqipërisë gjatë viteve. “247 milion euro në dhjetë vitet e fundit. Megjithëse jemi në krizë dhe kemi nevojë për kufizimin e shpenzimeve publike, kooperacioni italian gjatë viteve të fundit është rritur suksesshëm. Në dhjetëvjeçarin e fundit Italia i ka kushtuar shumë rëndësi Shqipërisë, ndërsa në vitin 2010 ky kontribut është rritur dhe më tej”, vuri në dukje Monti.
Njëkohësisht, kryeministri Monti garantoi mbështetjen e integrimit në BE. Gjithashtu, ai vlerësoi reformat e qeverisë shqiptare.
Në fjalën e tij, Monti uroi Berishën për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha vlerësoi mbështetjen e shtetit fqinj dhe duke rimarrë pikërisht të dhënat që evidentoi Monti në kuadër të kësaj mbështetje, kreu i qeverisë rikujtoi se “Italia që nga mesjeta deri sot shqiptarët janë nisur drejt këtij vendi për një jetë më të mirë, janë rreth një milion shqiptarë në këtë shtet”.
Sipas tij, çdo vit e më shumë Shqipëria do të bëhet një partner i rëndësishëm me potencialet e saj.
Ndërkohë që gjatë fjalës së tij në këtë konferencë të përbashkët kryeministri Berisha bëri me dije dejet e takimit me homologun italian.
“Diskutuam gjerësisht se si t’i inkurajojmë investimet italianë në Shqipëri, diskutuam për projektet e mëdha energjetike, për bashkëpunimin në të gjitha fushat, me një theks të veçantë me mbështetjen e Italisë në integrimin tonë në BE”, deklaroi Berisha. Gjithashtu, në këtë dalje të përbashkët për shtyp, kreu i qeverisë shqiptare i drejtoi një ftesë publike Montit për një vizitë në Tiranën zyrtare në 100 vjetorin e Pavarësisë.
...