E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Mos pranoni t’ju shajnë vendin tuaj

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se, "projekti ynë është Shqipëria një vend evropian dhe i zhvilluar".

Gjatë një bashkëbisedimi me studentë të Universitetit të Beratit, Kryeministri Berisha u shpreh se vendi ynë në 22 vite ka rritje të prodhimit të brendshëm me 11 herë. "Asnjë vend tjetër nuk ka pasur rritje të GDP-së kaq sa Shqipëria", theksoi ai.

Duke vlerësuar hapjen e Universitetit të Beratit si zhvillimin më pozitiv në historinë moderne të këtij qyteti, kreu i qeverisë tha se, qeveria do të bëj gjithçka për shkollimin më të mirë dhe punësimin e të rinjve.

Ai informoi se falë politikave të ndërmarra numri i studentëve ka arritur në 162 mijë, ndërsa në vitin 2005 ishte 52 mijë. Qëllimi ynë, tha ai, është që çdo i ri të provojë veten në universitet.

" Mos pranoni në asnjë mënyrë t’jua shajnë vendin tuaj. Gjeneratat para jush kanë në memorie një Shqipëri realisht shumë problematike, kanë në memorie një Shqipëri, ku varfëria në të gjithë zonat verilindore e juglinore ishte në shkallë të paimagjinueshme, një memorie me një sistem që skllavëroi njerëzit. Kjo ishte Shqipëra që kanë në mendje gjeneratat para jush. E them këtë që të mos dëgjoni ata përpara. Por, ju jeni të rinjtë e një vendi anëtar në NATO dhe kjo ju bën ju krenar", iu drejtua kryeministri Berisha të rinjve.

Berisha tha se, Shqipëria ka arritur disa nga treguesit më themelorë të vendeve të zhvilluara. "Në këtë garë Shqipëria ecën jo pa vështirësi", vijoi Kryeministri, duke shtuar se "projekti ynë është, Shqipëria vend europian dhe i zhvilluar".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›