Berisha: Motoja jonë është: Ne bëjmë rrugë. E di që do ketë mangësi në sektorë të tjerë
Në një fjalim të gjatë përpara ministrave të tij, të cilët dëgjojnë si eunukë, kryeministri Sali Berisha tha se buxheti i vitit tjetër do jetë më i madhi në histori. Edhe pse FMN e ka paralajmëruar se buxheti nuk është realist dhe se nuk duhen rritur pagat e pensionet, Berisha tha se rritja do vijojë. Ky buxhet, më i madhi në historinë e vendit, do ketë destinacion kryesor rrogat e pensionet. Nuk mundem, pavarësisht nga një krizë e egër borxhesh që ka pllakosur Europën e botën, por dinamizmi i ekonomisë sonë na bën të mundur që të qëndrojmë sërish në premtimin tonë, në objektivin tonë të rritjes së rrogave e pensioneve, tha Berisha.
Meqë është një vit, që qeveria e konsideron elektoral, Berisha tha se do vijojë të asfaltojë rrugë, edhe pse e kupton se ka mangësi në sektorë të tjerë. Unë e kuptoj që përqëndrimi i madh në rrugë e ujësjellësa sjell vështirësi, mangësi dhe mungesa në sektorë të tjerë, por ne rrugët do i bëjmë. Motoja jonë është ne do bëjmë rrugë. Nëse nuk i përmbahemi me vendosmëri këtij projekti, ky është projekti për të ecur. Nuk mundet më. Ne kemi asfaltuar 9 mijë kilometra rruga dhe nuk lodhemi në miljen e fundit. Ndaj zotërinj ministra ju duhet tu them se kur mendoni buxhetin, mendja duhet tu shkojë tek rrugët. Ky buxhet do përqëndrohet në fondet më të mëdha për përfundimin e rrugëve të nisura dhe ndërtimin e rrugëve të reja. Për biznesin e qytetarin ky projekt është jetik. Akoma kemi dhjetëra komuna që nuk janë të lidhura me akset kombëtare në rrugë të asfaltuara. Madje shumë prej tyre nuk kanë pasur aks kombëtar, tha Berisha.
Do bëjmë që Gjirokastër- Tiranë të bëhet në më pak se dy orë, Peshkopia në më pak se një orë, Saranda në dy orë e pak. Elbasani e Tirana thuajse do bashkohen, Malin e Krrabës do e kenë një dekoracion. Infrastruktura do ecë me shpejtësi në drejtim të gjitha maleve të vendit. Ato janë një pasuri e jashtëzakonshme. Potencialet e maleve janë mijëra herë më të mëdha se këto që shfrytëzohen sot.
Në mbledhjen e tij, Berisha foli edhe për mbjelljen e arrorëve dhe ullinjve. Shqipëria jeshile është dhe do mbetet drejtim themelor. Është në avantazhin tonë që të konsolidojmë në këtë vend zhvillimin e qëndrueshëm. Shqipërinë ta shndërrojmë në modelin e zhvillimit të qëndrueshëm jeshil. Ndaj ky vit shënon një përpjekje të re në politikën tonë me dy projekte të mëdha, ullirin dhe arrorin, por absolutisht dhe çdo dru frutor. Qeveria inkurajon, mbështet, nuk heq dorë dhe ka besim të plotë në njohuritë që fermerët kanë për tokën e tyre. Ne do i mbështesim ata fuqishëm. 250 milion rrënjë dru frutorë do mbillen në tetë vite. Ky është një akt madhor për zhvillim të qëndrueshëm, për një mjedis më të larmishëm. Dua të informoj kryetarët e komunave se gjatë këtyre javëve janë zhvilluar konsulta intensive me Ministrinë e Bujqësisë, të Mjedisit dhe po shqyrtohet kuadri ligjor në mënyrë që kompetenca të shkojë tek ata që administrojnë territorin.