E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Nderim të thellë për të gjithë udhëheqësit shpirtërorë të kombit shqiptar

31-08-2011 / Gazeta 55

Bajrami i Madh shndërrohet në një kremtim të përbashkët të shqiptarëve të të gjitha besimeve fetare. Liderët politikë kanë folur për solidaritet dhe për shpërblimin pas një muaji sakrifice, ndërkohë që Edi Rama është shfaqur si figurë, por pa i dhënë zë pranisë së tij tek selia e Komunitetit Mysliman Kryeministri Sali Berisha duke uruar të martën besimtarët myslimanë me rastin e Festës së Fiter Bajramit, vlerësoi harmoninë dhe tolerancën fetare si virtytin më të madh të kombit shqiptar. Kreu i Qeverisë, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha, zhvilloi mesditën e djeshme një vizitë në Komunitetin Mysliman Shqiptar. Kryeministri Berisha u prit nga Kryetari i këtij Komuniteti Haxhi Selim Muça dhe shumë besimtarë të tjerë, të cilëve iu uroi këtë Ditë, duke shprehur vlerësimin për të gjithë ata që agjëruan, si dëshmi e gatishmërisë së tyre, për sakrificën në emër të Zotit dhe të shndërrimit të saj, në një mirësi për veten, familjen, shoqërinë shqiptare. Më pas, kryeministri i përcolli mesazhin e urimit të gjithë besimtarëve myslimanë, por edhe të gjithë besimtarëve të besimeve të tjera, duke u shprehur: “Një urim shumë të përzemërt të gjithë atyre që në përkushtim të madh ndaj Zotit agjëruan Muajin e Madhërueshëm të Ramazanit, si dëshmi e gatishmërisë së tyre, për sakrificën në emër të Zotit, të shndërrimit të saj, në një mirësi për veten, familjen, shoqërinë shqiptare. Urimi është natyrisht për të gjithë besimtarët myslimanë, si dhe besimtarët e të gjitha besimeve, të cilët kanë te i Gjithëfuqishmi, te Zoti, gurrën e pashtershme të forcës, të energjisë, të frymëzimit”. Me këtë rast, kryeministri Berisha shprehu “nderimin më të thellë, për të gjithë udhëheqësit shpirtërorë të kombit shqiptar, udhëheqësit  e të gjitha besimeve për kontributin  e tyre të jashtëzakonshëm në ndërtimin e infrastrukturës shpirtërore, ndërtimin e besimeve fetare, nisur nga kushtet dhe rrethanat më të vështira, më të paprecedentë. Në një hark kohor të shkurtër ata ia dolën të ngrenë vlerat hyjnore, të ngrenë dhe të rindërtojnë besimet  e mëdha të shqiptarëve, në harmoni të plotë njëri me tjetrin, në tolerancë të shkëlqyer, në bashkëpunim, çka përbën kjo dhe virtytin më të madh të shpirtit të këtij kombi dhe të këtyre qytetarëve”, e përfundoi urimin e tij Kryeministri Sali Berisha. Jozefina Topalli: Festa e Bajramit është një shpërblim që vjen pas një muaji sakrifice Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i uroi dje të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Fiter Bajramit. Fillimisht ajo bëri një vizitë në Selinë e Komunitetit Mysliman në Tiranë ku  u prit nga Kryetari, Haxhi Selim Muça dhe më pas në  Selinë e Shenjtë të  Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ku u prit nga Baba Dede Edmond Brahimaj.  Kryetarja e Kuvendit duke përcjellë urimet e saj të përzemërta besimtarëve mysliman tha se, “Festa e Bajramit duke mbajtur vetë fjalën festë është një gjë e bukur, është një ditë e gëzueshme. Unë uroj të gjithë besimtarët mysliman në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut gëzuar Bajramin. Ky është një shpërblim që vjen pas një muaji sakrifice, meditimi, reflektimi,durimi dhe shpërblimi më i mirë është gëzimi në familje, paqja dhe optimizmi”. Kryetarja e Kuvendit, bëri urimet e saj për më shumë shëndet e harmoni në familjet e të gjithë shqiptarëve, jetë sa më të lumtur e të gjatë dhe që viti që vjen t’i gjejë të gjithë më mirë e me më shumë mbarësi e paqe .

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›