E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX dhe KFOR operacione në Veri të Kosovës, konfiskohen armë dhe municione

31-08-2011 / Gazeta 55

Flet kryeministri Thaçi: U asgjesuan celulat kriminale që kanë cenuar sovranitetin e Kosovës prej 12 vitesh

EULEX dhe KFOR kanë konfirmuar se gjatë operacionit në veri të Kosovës, në lidhje me hetimet e vrasjes së një polici kosovar, janë konfiskuar prova siç janë edhe armët. Aktualisht ekzistojnë gjashtë kallëzime penale për personat që kanë lidhje me vrasjen. “Janë kryer kërkime në katër shtëpi private dhe me këtë rast janë konfiskuar prova në lidhje me hetimet, përfshirë edhe armë. Ne mund të konfirmojmë se ekzistojnë gjashtë kallëzime për arrestimin e personave, që dyshohet se janë të përfshirë në vrasjen, ndërsa operacione si ky i sotmi, mund të priten edhe në të ardhmen”- është shprehur zëdhënësja e EULEX. Ndër të tjera ajo ka theksuar se EULEX, kërkon bashkëpunimin e komunitetit lokal për t`i sjellë para drejtësisë autorët e krimeve të fundit në veri. Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, njoftoi se operacioni ka përfunduar, ndërkaq situata është e qetë, dhe se rrugët janë të kalueshme.
Operacionin në Zupç afër Zubin Potokut në rrugën për në Bërnjak, e ka kryer njësia speciale e EULEX me mbështetjen e KFOR, ndërsa hetimet për vrasjen e policit kosovar po kryhen nga EULEX dhe policia e Kosovës.

Thaçi: U asgjesuan celulat kriminale që kanë cenuar sovranitetin e Kosovës prej 12 vitesh

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka folur për aksionet e EULEX dhe KFOR në Veri të Kosovës, ku ka deklaruar se janë konfiskuar dokumente të rëndësishme, por dhe armë të ndryshme që janë përdorur në veprimet e strukturave kriminale. Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Thaçi ka njoftuar deputetët për aksionin policor që forcat e ndjekjes kanë zhvilluar sot në veri. “Organet e drejtësisë, kanë përgatitur edhe një numër të kallëzimeve penale kundër një numër personash që kanë cënuar sovranitetin e Kosovës prej 12 vitesh”- u shpreh ai. Kryeministri Thaçi, po ashtu ka akuzuar përsëri Beogradin zyrtar se qëndron prapa strukturave kriminale në veri të vendit.
Ai tha se sipas të dhënave të institucioneve të rendit të Republikës së Kosovës, rezulton se këto strukturat kriminale po shndërrohen në struktura paramilitare. “Ditët e këtyre strukturave janë të numëruara, ndërsa i bëri apel Beogradit të mos strehoje vrasësit e policit të Kosovës dhe të respektojë fletë arrestet ndërkombëtare”- ka theksuar kryeministri i Kosovës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›