E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Në 1997-n jua dhashë unë pushtetin

Rikthehet debati i para 12 vjetëve. Fino: Hap kutitë, të shpëtosh

Debati parlamentar për draftin e opozitës për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit 2009 është kthyer larg në kohë, përkatësisht 12 vjet, në 1997-n e tmerrshme, kur shteti shqiptar u shkërmoq dhe kur forcat e NATO-s erdhën në vendin tonë për të ruajtur zgjedhjet e 29 qershorit. Protagonist i këtij debati ka qenë një replikë e ashpër mes ish-presidentit të asaj kohe, sot Kryeministër i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe ish-kryeministrit të asaj kohe, Bashkim Fino, sot deputet i Partisë Socialiste. Në foltoren e Kuvendit, deputeti socialist, Bashkim Fino, i ka kujtuar Berishën kohën e ‘97-s kur edhe në kohëra të vështira mazhoranca dhe opozita kanë arritur një kompromis që shpëtoi vendin. Fino deklaroi se “s’duhet të bëni herën e dytë kur jeni në pushtet atë që bëtë herën e parë.

Ish-kryeministri socialist, duke ndryshuar sloganin e opozitës, deklaroi: “Hap kutitë që të shpëtosh”. Ne nuk dëshirojmë të ndryshojmë pushtetin në tavolinë, por të bëjmë transparencën e zgjedhjeve. Menjëherë pas fjalës së Finos, e ka marrë fjalën Kryeministri Berisha, i cili është shfaqur mjaft i irrituar dhe ka lëshuar një mal akuzash ndaj deputetit parafolës, dhe ka dhënë një deklaratë, deri tani e padëgjuar në historinë e politikës shqiptare që prej vitit 1997. “Ju nuk e keni marrë pushtetin në vitin 1997, por atë jua dhashë unë, me të vetmen arsye se qytetarët mendonin se paratë e tyre i kishte marrë qeveria ime”. Kryeministri ka sulmuar Finon, duke i deklaruar se ka arritur lavdinë e tij vetëm në kohën kur President ishte Sali Berisha. Por irritimi më i madh i kreut të mazhorancës siç duket ka ardhur nga deklarata e Finos se, nëse nuk do të tërhiqet mazhoranca, atëherë do të jetë populli që do të ngrihet për ta rrëzuar atë. Por Kryeministri ka shkuar shumë larg kur duke iu drejtua deputetit të Partisë Socialiste dhe i tha: “Nuk ke ti prapanicë për të më rrëzuar mua”. Epoka e vitit 1997 është kthyer si një argument për arritjen e kompromisit pikërisht 12 vjet më pas në sallën e Parlamentit të Shqipërisë, kur ish-presidenti i asaj kohe dhe Kryeministri kanë treguar detaje të situatës, duke e futur Kuvendin në përgjegjësinë e rishikimit të historisë, pikërisht në kohën kur Shqipëria është e detyruar që të arrijë një kompromis, përndryshe do të ndëshkohen me vonesën e hapave të integrimit. Në vitin e largët 1997, pikërisht në fillim të marsit, kur President ishte Kryeministri aktual, Sali Berisha, u arrit një marrëveshje ndërmjet mazhorancës së atëhershme që ishte PD-ja dhe opozitës që ishte PS-ja, ku ndahej pushteti: Presidenti Berisha zgjodhi një qeveri koalicioni, ku Kryeministri i përkiste opozitës, i cili ishte zoti Bashkim Fino. Më 29 qershor të vitit 1997, zgjedhjet u fituan nga Partia Socialiste, e cila mori dy të tretat e deputetëve, ndërkohë Partia Demokratike pësoi humbje të madhe. Por PD i cilësoi ato zgjedhje si jo të lira e të ndershme, pasi kjo forcë politike theksonte se nuk është lejuar të bëjë fushatë në gjysmën e territorit të Shqipërisë. Parlamenti i asaj kohe ngriti një komision për hartimin e Kushtetutës së Republikës, ku bashkëkryetar të saj ishin Arben Imami, sot ministër i Mbrojtjes dhe Sabri Godo, ish-kryetar i Partisë Republikane. Partia Demokratike nuk e njohu kurrë Kushtetutën, madje i ka bërë thirrje elektoratit të saj të mos marrë pjesë në referendumin popullor për të miratuar Kushtetutën që u zhvillua më 6 nëntor të vitit 1997.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›