Berisha injoron statistikat e FMN-së: Ne, një nga katër vendet e vetme me rritje
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, u deklaroi dje fshatarëve të Prezës, ku gjendej me rastin e fillimit të punimeve të një rruge fshati, se vendet që kanë pësuar rritje ekonomike gjatë vitit 2009 në të gjithë botën numërohen me gishta dhe se Shqipëria është një prej tyre. Berisha nuk e tregoi burimin e të dhënave ku bazohej kjo deklaratë, por së paku, sipas databazës statistikore të Fondit Monetar Ndërkombëtar, konkluzioni është i pasaktë.
“Ne e kapërcyem me sukses të madh (vitin 2009) dhe mbetëm një nga 3-4 vendet në botë për rritjen ekonomike të ndjeshme, sepse ne, siç ju jeni dëshmitarë, e kemi shndërruar vendin në një kantier”, u shpreh Berisha, ndërsa u tha fshatarëve se një fond prej 165 milionë lekësh (1.6 milionë dollarë ose 1.2 milionë euro) do të rehabilitojë rrugën ekzistuese që lidh kalanë historike të Prezës me rrugën kombëtare Tiranë-Durrës.
Shqipëria pati një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3 për qind për vitin 2009, rritje që u dedikohet punimeve publike të financuara me kredi të huaja. Kjo rritje ekonomike ka qenë gjatë të gjithë kohës burim krenarie për qeverinë dhe është theksuar në çdo rast.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka të publikuara në faqen e saj të internetit të dhënat mbi rritjen ekonomike të 182 vendeve anëtare dhe sipas kësaj databaze, numri i vendeve që kanë pasur rritje në rang botëror gjatë vitit 2009 ka qenë nëntëdhjetë e dy. Afganistani, Katari, Laosi apo Kongo, të cilat janë edhe disa prej vendeve më të varfra në botë, kanë shënuar rritje ekonomike marramendëse. Kështu, nga rreth 40 vende që kanë Produkt të Brendshëm Bruto për frymë më të ulët se 1000 dollarë, vetëm katër kanë pësuar rënie ekonomike gjatë vitit të kaluar, ndërsa pjesa tjetër ka pësuar vetëm rritje. Rritjen e kryeson Afganistani me 16 për qind, ndërkohë që PBB-ja për frymë e këtij vendi është vetëm 461 dollarë për vitin 2009. Edhe mes vendeve që kanë PBB për frymë nën 5 mijë dollarë, ku hyn Shqipëria, ku PBB për frymë qe 3300 dollarë vitin e kaluar, rastet kur është shënuar rënie ekonomike janë shumë të pakta. Situata ndryshon kur bëhet fjalë për vendet me të ardhura të mesme apo të larta, ku PBB vjetore për frymë është mbi 5 mijë dollarë. Në shumicën dërrmuese të këtyre vendeve, gjatë vitit të kaluar është shënuar rënie e fortë ekonomike. Në këtë kontekst, të qenit i varfër është një “bekim”, pasi nuk të prek shumë kriza financiare botërore.
#