Palestinezët, sulm në Izrael gjatë vizitës së diplomates Ashton
Militantët palestinezë kanë lëshuar raketën e tyre të parë vdekjeprurëse në Izrael, pas një ndërprerjeje prej 1 viti. Si pasojë humbi jetën një punëtor tajlandez. Ky veprim i ndërmarrë në një periudhë shumë delikate, mund të shkaktojë një kundërpërgjigje të ashpër nga ana e Izraelit dhe të gjitha shpresat për rifillimin e bisedimeve të paqes do të shkërmoqeshin. Raketa është hedhur, ndërsa shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Cathrine Ashton, ndodhej në Jerusalem në vizitën e saj të parë zyrtare. Ndërkaq edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, pritet që ta vizitojë Gazën në fundjavë. Përgjegjësinë për hedhjen e kësaj rakete e mori një grup i panjohur më parë, që ka lidhje me Al Kaedën, Asnar sl-Suna. Ky është rasti i parë kur nga një raketë e hedhur nga Gaza humbet jetën një person në Jerusalem. Sulmi është marrë një ditë para se Kuarteti i Lindjes së Mesme do takohej në Moskë, për të diskutuar në lidhje me mënyrat e rigjallërimit të bisedimeve të paqes, të ngrira që nga dhjetori i vitit 2008. Në fakt, ky incident mund të ketë më shumë ndikim në politikën e brendshme të palestinezëve, se sa atë të procesit të paqes në Lindjen e Mesme, duke qenë se Hamas ka refuzuar që të bashkohet me këtë iniciativë. Edhe pse Hamas nuk është goditësi këtë herë, Izraeli e ka bërë atë faktor, duke qenë se është Hamas ai që kontrollon Rripin e Gazës.
Ndërkohë që nga përfundimi i luftës 3-javore në Gaza në vitin 2009, militantët palestinezë kanë ndërmarrë sulme të vogla sporadike ndaj Izraelit, por pa viktima në njerëz. Gjatë ofensivës hebreje në Gaza pati mbi 1400 viktima civile. Ajo u ndërmor nga ana e hebrenjve për të ndaluar sulmet e palestinezëve.
#