E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Ne 2013 Basha e Hushi presin shiritin e rruges Tirane-Elbasan

“Vij tek ju për të sjellë frymën, mesazhin, dritën e fitores nga Gjirokastra në Tropojë, nga Kukësi në Sarandë. Shqiptarët kudo e presin 8 majin të bindur në ngadhënjimin, në fitoren e virtyteve, të vlerave të tyre shpirtërore, të bindur në ngadhënjimin e projekteve të tyre për qytetet, fshatrat, Shqipërinë evropiane”.

Me këto fjalë kryeministri Sali Berisha u është drejtuar qytetarëve të Elbasanit, ku dhe mbylli fushatën zgjedhore, duke kërkuar votat për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Durim Hushi. Kreu i qeverisë premtoi se në pranverën e 2013-ës me Durim Hushin kryebashkiak të Elbasanit dhe Lulzim Bashën qytetar të parë të Tiranës do të përurohet dhe rruga e dytë e kombit, ajo Tiranë- Elbasan.
“8 maji është vota juaj për Elbasanin, qytetin me infrastrukturën më moderne evropiane, qytetin nyjën kryesore e Korridorit 8 dhe Boshtit të Jugut, është vota për Elbasanin i cili në pranverën e vitit 2013 do të bashkohet me Tiranën. Në pranverën e vitit 2013 me qytetarin e parë të Tiranës, Lulzim Bashën dhe qytetarin e parë të Elbasanit, Durim Hushin, do të presim shiritin e shndërrimit në realitet të një ëndrre fisnike, shekullore, të qytetarëve të mrekullueshëm të Elbasanit, tunelin e Krrabës dhe autostradën që shkurton në më pak se 20 minuta distancën midis këtyre dy qyteteve të mëdha, të bekuara, të mrekullueshme të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha kreu i qeverisë.

Kryeministri Berisha deklaroi se Qarku i Elbasanit do të jetë epiqendra e investimeve të mëdha në Shqipëri, ku do te ndërtohet bypassi dhe unaza e qytetit, do të ndërtohet segmenti i korridorit të jugut Elbasan – Berat, Librazhd – Qafë Stude , dhe se siç janë asfaltuar në këto 4 vite 400km rrugë do të do të asfaltohet çdo kilometër rrugë dhe rrugicë e këtij qyteti dhe qyteteve të tjera të qarkut. Por vota e 8 majit do të jetë gjithashtu sipas kryeministrit Berisha votë për Elbasanin e potencialeve të mëdha turistike dhe gjenaratori i punësimit ,e zhvillimin e rideminsionimin e parkut industrial.

“Jam sot këtu për tu zotuar para jush se autostrada moderne, rrugë, furnizim me ujë dhe çdo gjë tjetër do të ndërtojmë në të katër anët e këtij qarku, në të gjitha zonat turistike, nga Qafë Stude deri në kufi me Skraparin në rrethin e Gramshit. Me 8 maj ju votoni për Elbasanin djepin e dijes, kulturës dhe qytetërimit të kombit shqiptar, për Elbasanin me kamput modern universitar, për Elbasanin e parqeve të mëdha kombëtare. Zoti Hushi, parku i Krastës do të jetë një nga parqet më të bukura të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, deklaroi Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha ftoi qytetarët e Elbasanit që më 8 Maj të shkojnë drejt kutive të votimit për të vlerësuar bindjet e tyre politike si dita e idealeve europiane dhe e besimit të shqiptarëve tek Europa.

“Ndaj të votojmë të gjithë si qytetarë të lirë. Në alternativën tonë nuk ka armiq, armiqtë le të ecin në rrugën e vetme apo të vetmisë. Në shtëpitë tonë mirësetëvijë cilido qytetar i Elbasanit, cilido qytetar i Shqipërisë. 8 maji është dita e fitores së madhe. Zoti Hushi, nuk janë poll-et, ata që flasin për fitore, janë zemra, shpirti, sytë e mbarë shqiptareve që kanë të shkruar në ballë fitoren, fitoren, fitoren. Për ne të parët jeni ju, janë fëmijët tuaja, janë familjet tuaja, komunitetet tuaja, i pari është Elbasani, e para është Shqipëria. Rrofshi ju! Rroftë Elbasani! Rroftë Shqipëria!””, mbylli fjalën e tij Kryeministri, Berisha.


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›