E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Në Strasburg tregova se shqiptarët kanë humbur parimin e prezumimit të pafajësisë

TIRANË, 8 prill/ATSH Kreu i PD-së, Sali Berisha gjatë një konference për mediat u ndal në takimet që zhvilloi një ditë më parë në Strasburg, i ftuar nga grupi i Partisë Popullore në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, por edhe grupi i demokratëve konservatorë në këtë asamble.

Berisha tha se u prit në takim nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Rusopulos, zhvilloi takim me delegacionin parlamentar në këtë asamble të Italisë, Suedisë, Greqisë si me me komitetin prestigjioz të antitorturës në këtë institucion.

“Këshilli i Europës me bankën e tij dhe me ekspertizat e jashtëzakonshme i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë shumë të madhe financiare, teknike në betejën kundër korrupsionit, në të gjitha problemet e autonomisë lokale dhe rajonale, në çështjet e demokracisë. Ai këshill, me iniciativën e Sali Berishës ka votuar rezoluta kundër regjimit socialist në kohën kur isha në opozitë”, tha ai.

Kreu i PD-së shtoi se “ishte shumë e dobishme dhe e domosdoshme që parlamentaret e grupeve kryesore parlamentare siç është grupi i PPE në këtë institucion, të mësonin me dokumente dhe fakte të pakundërshtueshme, të vërtetat e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë”.

Gjithashtu, Berisha bëri me dije se informoi komitetin antitorturë për” torturën publike ndaj Ilir Metës dhe se të rinjtë po i helmojnë me drogë në burgje”.

“Unë informova audiencën e nderuar të parlamentarëve nga e gjithë Europa se Edi Rama arrestoi në vit elektoral, apo vuri në proces penal, tre liderët e partive kryesore opozitare dhe tre të tjerëve u mori mandatet, i mban në arrest shtëpie apo i mban në burg. Një vend të dytë si Shqipëria nuk ka në këto shkelje. Shqipëria tejkalonte Bjellorusinë e Lukashenkos dhe ngjiste diku me një vend si Tunizia apo më keq”, deklaroi ai.

Berisha tha gjithashtu se “këta zotërinj i informova se shqiptarët kanë humbur përfundimisht parimin e prezumimit të pafajësisë, pasi në burgjet e tyre, 67 % janë të paraburgosur. Nuk ka një vend të dytë në botë. Nga 15-20 % që është norma e fryrë, këtu është 67 % dhe kjo nuk ka ekzistuar as në diktaturën komuniste”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›