E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Në Tiranë do dalin një ditë makinat me targa çift, një ditë ato me targa teke

Share

Kryeministri Sali Berisha e ka nisur fjalën e tij në mbledhjen e qeverisë duke folur sërish për mjedisin. Edhe pse sot qeveria e tij merr notë negative nga Brukseli për punën e një viti, Berisha tha se janë larguar thuajse të gjithë varrezat e makinave. Sipas tij, 317 varreza makinash janë larguar dhe 77 janë në proces largimi. Vetëm 4 varreza makinash janë problematike, por forca e ligjit do të veprojë, tha Berisha.

Meqë jam në këtë pikë, dua të shpreh vlerësimin për qeveritë vendore. Edhe njëherë dua të bëj thirrje që në axhendën e tyre çështje të parë të vendosin çështjen e mjedisit si një kusht themelor për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve. Studimet e universiteteve më serioze kanë faktuar se 40 përqind të vdekjeve shkaktohen direkt nga ndotjet e ajrit, ujit dhe tokës. Pra problemin e ndotjes duhet ta konsiderojmë si një detyrim madhor për shëndetin e çdo qytetari në këtë vend, tha Berisha, që vetëm pak ditë më parë ka miratuar një ligj për importimin e plehrave në Shqipëri.

Edhe pse në dy raste të rënda është faktuar se njerëz pranë qeverisë kanë tregtuar sasi gjigante nafte bruto në treg, Berisha nuk u ndal tek kjo gjë, edhe pse tha se ndotja e hidrokarbureve është kancerogjene. Berisha tha se do mbajë paratë nga paga e tyre drejtuesve vendorë që nuk kujdesen për mjedisin.

Ndaj ftoj qeveritarët vendorë të vendosin në themel të politikës së tyre mbrojtjen e mjedisit. Por nuk është më pak e rëndësishme paraqitja. Isha në Dardhë. Nuk pashë asnjë copë letër nga Korça deri në Dardhë. Përse të mos e kemi këtë iniciativë në gjithë Shqipërinë. Ne duhet të bëjmë një luftë të vendosur kundër plehrave. Duhet të bëjmë çdolloj ndryshimi në ligje. Të jemi të vendosur ndaj çdo ndotësi të ambientit. Të kemi një mjedis të bukur. Ne kemi peizazhe mahnitëse, por kur sheh plehrat, çdo gjë reduktohet tek simboli që ato paraqesin. Unë po pres nga Ministria e Mjedisit për sanksionet, që do prekin rrogën personale të drejtuesve vendorë. Të paguajnë, çkusur kanë banorët pse kryetari nuk kujdeset për shëndetin e tyre. Kjo është çështje shëndeti, kjo është çështje jete, tha Berisha, i cili iu drejtua Fatmir Mediut, që ishte kthyer në mbledhje qeveri pas kurimit në Vjenë.

Kryeministri ka propozuar që në Tiranë të dalin makinat një ditë po, e një ditë jo, sipas numrit të targave.

Dhe në kryeqytet duhet të bëhen matje, nëse ka tejkalime, duhet biseduar me autoritetet vendore në mënyrë që të lëvizet me targa çifte e teke sipas ditëve. Nuk mundet kurrsesi që të helmojmë njerëzit. Tirana ka nevojë për punë të madhe për të krijuar një trafik tjetër. Emergjencës ti përgjigjemi me emergjencë, tha Berisha.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›