Si duket një vend në prag falimentimi?
Mirësevini në një vend ku paratë do mbarojnë deri në mes të nëntorit.
Ju i keni parë kryetitujt për borxhin, dështimet e deficitin. Por si duket një vend që është në prag të humnerës financiare, si tingëllon, madje çfarë ere i vjen atij?
Kur mbërrin në Athinë menjëherë të bien në sy dyqanet me qepenat e ulur, kantieret e ndërtimit të braktisura, koshat e plehrave të tejmbushur pas javësh pa pastruar. Ka madje edhe një poster provokativ, ngjitur në mur, për të vlerësuar trazirat e Londrës disa muaj më parë. Kartolinë nga Londra, lexohet në të dhe në pamje shfaqen të rinj duke vjedhur DVD në një dyqan.
Është e qartë se kriza e borxhit është më shumë se numra me shumë zero dhe vetulla të ngrysura politikanësh.
Shumë pranojnë se Greqia ka marrë borxh shumë para dhe ekonomia e saj është shumë e dobët për të gjeneruar rritjen e nevojshme për të paguar ato, por nëse Greqia pranon se nuk paguan dot borxhet, vendi do të falimentojë.
Kështu që qeveria po bën shkurtime, e madje shkurtime drastike. Ata po përpiqen që ta shkurtojnë shtetin në një të tretën. Kjo do të thotë se ka shkurtime të mëdha në numrin e njerëzve të punësuar në qeveri dhe rritje të madhe të taksave. E fundit është taksa e re për pronën, e cila shtohet në çdo faturë energjie. Na thanë se për disa familje bëhet fjalë për një faturë që shkon deri në mijëra euro.
***
Shenjat e krizës dhe trazirave politike nuk janë vështirë për tu gjendur. Në pazarin e gjërave të lira, tregtarët thonë se ajo që po ndodh këtu është se po zhduken themelet e të qenit grek.
Muriel ka një argjendari. Kur një shtet bie, rritet krimi. Njerëzit janë të uritur. Ata kanë nevojë për më shumë para, kështu që gjejnë një mënyrë për ti siguruar. Ata vjedhin- thyejnë dyqane e banesa, na tregon ajo. Përpara kësaj ne i linim dyert hapur. Tani nuk e bëjmë dot.
Mikis, 20 vjeç, punon në një restorant pak blloqe larg. Kur e pyetëm për taksat, u përballëm me një shprehje në fytyrë që thotë më shumë se gjithçka tjetër për këtë periudhë që po kalon Greqia. Nënqeshja e tij e turpshme pranon sekretin e hapur të Greqisë. Evazioni fiskal është i përhapur dhe njerëzit e pranojnë me krenari këtë. Krenarë që shmangin taksat për të sjellë më shumë të ardhura.
Zgjidhja e problemit të taksave do zgjidhte po ashtu shumë probleme në Greqi. Nëse Greqia do mblidhte të gjithë taksat që fshehin njerëzit, borxhi i Greqisë do ishte shumë i ulët. E pyetëm atë direkt. A është i përhapur shumë evazioni fiskal? Po, pranoi ai pa asnjë hezitim.
Ju mund të kërkoni faturë për ushqimin, në mënyrë që ne të paguajmë taksa. Por shumë njerëz nuk kërkojnë kurrë fatura, kështu që mund të kursejnë para, thotë ai.
***
Vonë në mbrëmje shkuam në Sheshin Sintagma, përballë parlamentit grek. Është thuajse mesnatë, por sërish ka grumbullime njerëzish, që dëgjojnë altoparlantët nga ku flasin njerëz të zemëruar. Nisëm të flasim me George. Fytyra e tij është skuqur nga zemërimi, krahët i lëviz si një vorbull për të theksuar gjërat.
Është e tmerrshme. Ka një pjesë të madhe të popullsisë që po vuan realisht. Po flas për njerëz që para disa muajsh ishin në rregull. Kishin bizneset, pagat ose pensionet, dhe tani ata nuk hanë dot sa duhet. Ata madje nuk paguajnë dot faturën e energjisë ose të ujit.
D.m.th familjet e klasës së mesme po paguajnë me vështirësi për fëmijët e tyre, e pyetëm. Sërish morëm një po pa hezitim.
Më vonë, Trasy Petropulas, editor lajmesh për Athens News, na tha se ky nuk është ekzagjerim.
Po flasim për raste të varfërisë së vërtetë këtu, diçka me të cilën nuk jemi mësuar. Një djalë më pyeti sot në mëngjes: Edhe sa para do na marrin për të zgjidhur këtë gjë?
*Marrë nga BBC